Perinski në Kavadarci: Së bashku do të vazhdojmë të jemi nxitës të ndryshimeve pozitive dhe kushteve për një jetë më të mirë për çdo qytetar

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, sot e vizitoi Komunën e Kavadarcit, ku realizoi takim me kryetarin e komunës Mitko Jançev dhe përfaqësues të Këshillit Komunal. Në takim u diskutua për prioritetet e vetëqeverisjes lokale, si dhe për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe përfitimet e tyre të mundshme për qytetarët. U shqyrtuan edhe projektet aktuale dhe rëndësia e tyre për zhvillimin e komunës.
Pas takimit, ministri Perinski së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin Jançev inspektuan aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e një rrethrrotullimi të ri në rrugën rajonale Rosoman – Kavadarci, projekt i financuar përmes thirrjes së parë të Qeverisë. Ata vizituan edhe vendbanimin Moklishte, për të parë punimet në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, projekt që Komuna po e realizon së bashku me Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Përfaqësuesit qeveritarë shfrytëzuan vizitën në Kavadarci edhe për inaugurimin simbolik të rrugës “8 Shtatori”, e cila është rikonstruktuar dhe asfaltuar tërësisht në një sipërfaqe prej 2.500 metrash katrorë, projekt i financuar nga thirrja e parë e qeverisë. Ata vizituan gjithashtu edhe sallën e re sportive në fshatin Sopot, investim tërësisht i Komunës.
Kryetari Jançev shprehu falënderim të madh për të gjithë përfaqësuesit qeveritarë që së bashku me kryeministrin Mickoski e vizituan Kavadarcin dhe falënderoi për mbështetjen e pakushtëzuar të Qeverisë për Kavadarcin, por edhe për të gjitha komunat. “Jemi mirënjohës që nga kredia hungareze po investohet në komuna për zhvillim rajonal, për projekte të dobishme dhe fisnike në interes të bashkëqytetarëve tanë”, theksoi Jançev.
Sot u promovua zyrtarisht edhe Qendra Rajonale për strehimin e kafshëve të rrugës dhe shëndetësinë veterinare në lagjen Glishik, projekt që u realizua me mjete nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Qeveria e Zvicrës dhe pjesëmarrje financiare të Komunës. Kjo Qendër, në një sipërfaqe prej 5.470 metrash katrorë, përfaqëson një zgjidhje moderne për trajtimin human dhe kujdesin ndaj kafshëve të rrugës nga të gjitha nëntë komunat e rajonit, që do të kontribuojë për rritjen e sigurisë, zvogëlimin e dëmeve dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Rajonin Planor të Vardarit.
“Faleminderit për proaktivitetin e kryetarit të komunës dhe pjesëmarrjen në thirrjen e parë dhe të dytë publike me projekte me vlerë kumulative prej mbi 400 milionë denarësh, me ç’rast presim një bum ndërtimor në të gjithë territorin e Kavadarcit. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Mickoski është partner i vërtetë për realizimin e infrastrukturës që bazohet në nevojat e qytetarëve”, deklaroi ministri Perinski, duke informuar se në thirrjen e dytë qeveritare kanë aplikuar të gjitha 80 komunat me 887 projekte, që kryesisht kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Por, siç theksoi Perinski, ka edhe projekte për mbrojtjen e mjedisit, rregullimin e shtratit të lumenjve, gjelbërimin e sipërfaqeve publike, si dhe ndërtimin dhe zgjerimin e kopshteve dhe shkollave. “Si Qeveri, jemi jashtëzakonisht të kënaqur nga interesimi i komunave. Nga thirrja e parë dhe e dytë kemi gjithsej 1200 projekte, vlera e të cilave do të tejkalojë 20 miliardë denarë, që është një shumë mbresëlënëse”, shtoi ministri.
Kryeministri Mickoski vlerësoi se kjo do të rezultojë me 1200 kantierë ndërtimi në Maqedoni. “Kjo është një punë historike, shekullore dhe ne e bëjmë atë për gjeneratat e ardhshme, por edhe për ato të sotme që meritojnë kushte më të mira jetese. Është mirë kur ndërtohet, ka shumë gjëra që duhet ndërtuar, përfunduar, rinovuar. Këtu e morëm besimin nga qytetarët dhe nuk guxojmë ta shpërdorojmë atë besim. Do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të realizuar më shumë projekte që do të shtojnë vlerë në jetën e qytetarëve në të gjithë territorin e shtetit, pa marrë parasysh nëse komuna ka kryetar nga koalicioni qeveritar, nga VMRO, nga VLEN, nga ZNAM apo nga opozita LSDM, BDI apo është e pavarur, etj.”, theksoi kryeministri.