Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, ministrin për transformim digjital, Stefan Andonovski dhe përfaqësues të UNDP-së, janë në një vizitë zyrtare në Estoni me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira të lidhura me monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2024 – 2044, që paraqet dokumentin strategjik kyç për shtetin tonë.

Në kuadër të vizitës, e cila mbështetet nga UNDP si partner strategjik, delegacioni realizoi një sërë takimesh të rëndësishme me institucione kyçe që kanë rol udhëheqës në planifikimin strategjik dhe zhvillimin e Estonisë, me fokus në sistemin e monitorimit të dokumenteve strategjike. Delegacioni zhvilloi bisedime me përfaqësues të Qendrës për Parashikim Strategjik, një institut i rëndësishëm kërkimor që studion trendet afatgjata dhe ndihmon institucionet në marrjen e vendimeve strategjike. Takimi i rëndësishëm u mbajt edhe me përfaqësues të Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim të Estonisë, ku ndër të tjera u diskutuan modele të ndryshme për strukturimin e ndihmës së huaj dhe zhvillimit rajonal në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane. Një nga pikat kryesore të vizitës ishte edhe takimi me sekretarin shtetëror Keit Kasemets, ku u shqyrtua strategjia “Estonia 2035”, e cila përcakton vizionin dhe objektivat strategjike për zhvillimin e vendit në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme dhe bazohet në një proces gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e një spektri të gjerë akterësh.

“Vizita në Estoni ishte e përqendruar në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira për monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2024 – 2044, dokumenti strategjik më i rëndësishëm për shtetin tonë. Theksi i veçantë u vu në planifikimin strategjik, zhvillimin rajonal dhe digjitalizimin – prioritete kyçe për ne si Qeveri dhe si shtet, ndërsa Estonia është një nga shembujt udhëheqës evropianë në këto fusha. Fokus i veçantë për ne si ministri është digjitalizimi i shërbimeve komunale dhe forcimi i kapaciteteve të komunave. Këto takime i shfrytëzojmë si një mundësi për të marrë njohuri dhe praktika që do të na ndihmojnë të jemi dukshëm më efikas si institucione dhe si shtet”, theksoi ministri Perinski, i cili vlerësoi se vizita në Estoni është një mundësi e shkëlqyer për të parë praktikat më të mira, zbatimi i të cilave do të ndihmonte ndjeshëm në përmirësimin e proceseve institucionale dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike për qytetarët. Qëllimi, sipas Perinskit, është krijimi i sistemeve të qarta kombëtare të monitorimit dhe komuna më të forta dhe më moderne që do të përballen me sfidat e së ardhmes.

Ministri Perinski theksoi se sfidat me të cilat përballen Estonia dhe Maqedonia e Veriut në lidhje me zhvillimin rajonal të barabartë dhe strukturimin sistematik janë në një masë të caktuar të ngjashme, çka hap hapësirë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe shkëmbim përvojash me qëllim përmirësimin e politikës rajonale dhe efektivitetit të vetëqeverisjes lokale.

Vizita në Estoni konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Qeverisë sonë ndaj zhvillimit strategjik, sistemeve të zhvilluara të monitorimit, transformimit digjital dhe rritjes së kapaciteteve të komunave si pjesë e prioriteteve kombëtare për të ardhmen.