I akuzuari Vasill Jovanov, i cili e përplasi për vdekje Frosina Kulakovën, në seancën gjyqësore të sotme e pranoi fajësinë. Ai fillimisht shprehu ngushëllime për familjen e Frosinës.

“Do të deklarohem për fajësinë, por dua të shpreh ngushëllimet më të thella për atë që kam bërë. Nuk kam mundur as të mendoj për diçka të tillë,” tha i akuzuari.

Më pas Jovanov shtoi: “Po, gjykatës, jam fajtor!”

Gjatë gjithë kohës sa ishte ulur në bankën e të akuzuarit dhe më pas kur foli, Jovanov mbante kokën ulur dhe shikonte drejt dyshemesë.

Sipas aktakuzës, më 29 janar 2025, Vasill Jovanov, pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit, ka drejtuar një veturë me shpejtësi prej 91 kilometrash në orë në bulevardin “Partizanska” në Shkup. Në një vijë kalimi për këmbësorë, në semafor të kuq, ka goditur Frosina Kulakovën, e cila po kalonte në dritën jeshile për këmbësorë. Nga forca e goditjes, Frosina ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. Për veprën penale për të cilën akuzohet Jovanov, është paraparë dënim me burg deri në 20 vjet.