Polonia ka vendosur sanksione ndaj liderit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, duke e shpallur atë person non grata dhe duke i ndaluar hyrjen në territorin e saj.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Polonisë, masa është vendosur më 12 maj dhe ka hyrë zyrtarisht në fuqi, ndërsa nuk përfshin zyrtarë të tjerë të Republikës Serbe si kryeministri Radovan Vishkoviq apo kryetari i Asamblesë Nenad Stevandiq, raportoi Politicki.ba.

“Ju informojmë se të dhënat e presidentit Milorad Dodik tashmë janë përfshirë në listën e të huajve qëndrimi i të cilëve në territorin e Republikës së Polonisë është i padëshirueshëm,” thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Polonisë.

Polonia bëhet vendi i pestë evropian që vendos ndalesë ndaj Dodik, pas Britanisë së Madhe, Austrisë, Gjermanisë dhe Lituanisë. Varshava e justifikoi vendimin me veprimet e Dodik që, sipas saj, minojnë rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës.

Ndërkohë, Lituania ka vendosur sanksione më të gjera, duke ndaluar hyrjen deri më 18 prill 2030 për Dodik, Vishkoviq dhe Stevandiq. Qeveria lituaneze i ka konsideruar veprimet e tyre si kërcënim për stabilitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës, si dhe për Marrëveshjen e Dejtonit. Vendimi u mor në koordinim me partnerët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.