Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, gjatë ditës së djeshme ka përshëndetur vendimin e “guximshëm” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për heqjen e sanksioneve e gjata ndaj Sirisë, duke e shpallur atë një pikë kthese për të ardhmen e vendit, transmeton Anadolu.

“Dita e sotme shënon fillimin e një pune serioze dhe nisjen e udhëtimit të Sirisë moderne”, tha al-Sharaa në një fjalim televiziv drejtuar kombit.

Ai vendimin e Trumpit për heqjen e sanksioneve e përshkroi si “vendim të guximshëm që hodhi themelet për stabilitetin rajonal”.

Presidenti sirian gjithashtu vlerësoi aleatët rajonal, veçanërisht Turqinë.

“Presidenti Rexhep Taip Erdogan ka qëndruar pranë popullit sirian dhe vendi i tij ka mbartur mbi supe shumë përgjegjësi gjatë 14 viteve të fundit”, tha al-Sharaa.

Në një mesazh drejtuar komunitetit ndërkombëtar të biznesit, al-Sharaa bëri një ftesë të hapur.

“Ne i mirëpresim të gjithë investitorët dhe i ftojmë ata të përfitojnë nga mundësitë e disponueshme”, tha ai.

Më tej, al-Sharaa hodhi poshtë çdo përpjekje për të ndarë vendin.

“Ne nuk do të lejojmë ndarjen e Sirisë, as nuk do t’u japim hapësirë narrativave të regjimit të mëparshëm që synojnë copëtimin e popullit tonë”, tha ai.