Publikohen dy libra të rëndësishëm për studentët e mjekësisë në gjuhën shqipe.
Botimet mjekësore në gjuhën shqipe pasurohen me dy tituj të rinj me rëndësi të veçantë për studentët, profesionistët shëndetësorë dhe studiuesit e anatomisë. Bëhet fjalë për “Atlas i Anatomisë” dhe “Terminologjia Anatomike e Trupit të Njeriut”, botime të shtëpisë botuese ALB-MED.
Atlas i Anatomisë sjell një përmbledhje të hollësishme vizuale të strukturave të trupit të njeriut, me ilustrime profesionale dhe emërtim zyrtar në gjuhën latine, i përshtatur në shqip nga autorët Sadi Bexheti, Artur Hafizi dhe Adnan Emini. Libri bazohet në veprat e autorëve të njohur ndërkombëtarë si Michael Schuenke, Erik Schulte dhe Udo Schumacher.
Terminologjia Anatomike e Trupit të Njeriut, me autor A. R. Emini, përmban terminologjinë standarde zyrtare të anatomisë sipas nomenklaturës ndërkombëtare në gjuhën latine, duke ofruar një mjet të vlefshëm për mësim dhe praktikë profesionale.
Këto botime synojnë të përmirësojnë cilësinë e arsimit mjekësor në gjuhën shqipe dhe të ndihmojnë në standardizimin e terminologjisë profesionale në përputhje me praktikat ndërkombëtare.
“Atlas i Anatomisë” mund të gjendet tek biblioteka te Neziri afër Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë.