Punëtorët e Kopshtit Zoologjik në Shkup sot gjatë pauzës mbajtën protestë për shkak se ende nuk e kanë marrë pagën e muajit mars, dhe nga sot kanë mbetur edhe pa sigurim shëndetësor.

“Nuk kemi marrë rrogë për marsin, rrogën e fundit e kemi marrë para 45 ditësh. Nga dje kemi humbur edhe sigurimin shëndetësor, ka kolegë që janë në pushim mjekësor. Pa para, pa shëndetësi. Prandaj i lusim autoritetet që sa më shpejt të gjejnë mënyrë që ta marrim rrogën, në mënyrë që të mos vijë deri te ndonjë grevë më e madhe. Po kërkojmë pagën tonë… Sado që të paguhet – sipas sistemit të vjetër apo të ri – le të vendosin autoritetet. Ka edhe gjykatë ku do të paraqesim ankesa dhe do të veprojmë në bazë të saj. Doli spekulim se rroga ka mbetur e bllokuar në Qytet. Nuk po akuzojmë askënd, vetëm po kërkojmë rrogën sa më shpejt. Ministria e Kulturës duhet të na paguajë, por nuk e dimë pse nuk e bën. Institucione të tjera e kanë marrë rrogën. Jemi rreth 50 të punësuar. Vitin e kaluar kishte vonesa, por jo kaq të mëdha. Nuk japim afate, por vërtet jemi në një gjendje të vështirë. Nëse nuk marrim rrogë, do të vendosim për masat e ardhshme. Dolëm që të na shohin, Pashkët dhe 1 Maji kaluan pa rrogë”, tha Mile Taneski, kryetar i organizatës sindikale në Kopshtin Zoologjik.

Në këtë reagim iu bashkua edhe kolegu i tij, i cili theksoi se problemet nuk janë vetëm mosmarrja e rrogës.

“Kjo nuk është protestë, gjatë pauzës një mesazh. Kopshti Zoologjik është prej kohësh fushë për përleshje politike ndërmjet të gjitha palëve politike. Apelojmë që të zgjidhet statusi ynë”, tha Mirosllav Stankoviq, kujdestar i kafshëve.

Sipas Jakim Nelkovit, kryetar i SINDIKATËS së Arsimit dhe Kulturës , disa nga institucionet në nivel lokal ende nuk kanë marrë rrogë.

“Nuk ka rëndësi arsyeja, por thelbi. Festat i kaluan pa pagë. Durimi i njerëzve është drejt fundit. Njerëzit me fjalë të zgjedhura po e shprehin dhimbjen, por në të vërtetë më nuk kanë as sigurim shëndetësor. Nëse nuk paguhen rrogat, me shumë gjasa edhe dyert e Kopshtit Zoologjik do të mbyllen. Drejtori aktualisht nuk është në punë. Sot do të kërkojmë me shkrim takim me drejtorin, i cili është përgjegjës për pagesën e rrogave. Kush është fajtor më lart në hierarki nuk na intereson. Sipas informatave të mia, asnjë institucion nën kompetencë të Qytetit të Shkupit nuk ka marrë rrogë”, tha Nelkov.