Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se vendi i tij pret reciprocitet nga SHBA-ja në lidhje me respektimin e interesave kombëtare të njëri-tjetrit, transmeton Anadolu.
“Amerikanët, populli amerikan dhe udhëheqja amerikane, përfshirë presidentin, kanë interesa të tyre kombëtare dhe ne i respektojmë ato. Ne supozojmë se do të trajtohemi në të njëjtën mënyrë”, tha Putin në një intervistë me gazetarin rus Pavel Zarubin.
Komentet vijnë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, planifikon që nesër të bisedojë me presidentin Putin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për të nxitur një armëpushim në Ukrainë.
Njoftimit i presidentit Trump erdhi pas bisedimeve të nivelit të lartë mbi paqen midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, të lehtësuara nga Turqia, ku të dyja palët ranë dakord të shkëmbejnë nga 1 mijë të burgosur lufte dhe të vazhdojnë me negociatat për një armëpushim.
Duke komentuar konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë, të cilin Rusia e përcakton si një “operacion ushtarak special”, Putin riafirmoi se vendi i tij ka forcë të mjaftueshme për të përfunduar “operacionin” me një rezultat të dëshiruar.
“Ky rezultat është eliminimi i shkaqeve që çuan në këtë krizë, krijimi i kushteve për paqe të qëndrueshme afatgjate dhe garantimi i sigurisë së shtetit rus”, tha Putin.
Presidenti rus gjithashtu përmendi “sigurimin e interesave të popullit tonë në ato territore” si një objektiv tjetër në konflikt, duke iu referuar territoreve ukrainase “ku jetojnë njerëz që e konsiderojnë rusishten gjuhë të tyre amtare dhe e konsiderojnë Rusinë atdhe të tyre”.