Qeveria e Donald Trump i ka urdhëruar ambasadat të ndalojnë përkohësisht caktimin e takimeve për intervista me aplikantët për viza studentore, ndërsa përgatitet të zgjerojë kontrollin e aplikantëve përmes rrjeteve sociale. Në një memorandum të dërguar për përfaqësitë diplomatike, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se “pauza do të zgjasë deri në lëshimin e udhëzimeve të mëtejshme”.

Kjo masë vjen mes përplasjes së Trump me disa nga kolegjet më elitare amerikane, për të cilat ai beson se janë tepër të majta. Ai pohon se disa prej tyre kanë lejuar përhapjen e antisemitizmit në kampus dhe mbështesin politika diskriminuese të pranimit.

Në memorandum, Departamenti i Shtetit u kërkon ambasadave amerikane të heqin të gjitha terminet e paplotësuara për intervista për viza studentore nga kalendarët e tyre, ndërsa takimet që tashmë janë caktuar mund të vazhdojnë siç janë.

Studentët e huaj që dëshirojnë të studiojnë në SHBA zakonisht duhet të caktojnë një intervistë në ambasadën amerikane në vendin e tyre përpara se të marrin miratimin. Shumë institucione arsimore varen nga studentët e huaj për financim, pasi tarifat e tyre janë dukshëm më të larta.

“Ne e marrim shumë seriozisht procesin e kontrollit për ata që vijnë në vendin tonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Qeveria e Trump ka ngrirë qindra miliona dollarë fonde federale për universitetet, ka anuluar mijëra viza studentore dhe ka ndërmarrë hapa për të deportuar studentët. Shtëpia e Bardhë ka akuzuar disa universitete se kanë lejuar antisemitizmin në protestat pro-palestineze në kampuset e tyre, ndërsa kolegjet e kanë akuzuar qeverinë për pengim të lirisë së shprehjes.