Qeveria e Maqedonisë në seancën e sotme i ka dhënë dritë jeshile ndryshimeve të Ligjit për Pushtet Lokal, i cili tanimë një periudhë të gjatë është diskutuar në opinion. Ligji, i cili për të hyrë në fuqi duhet të votohet në Kuvend, mes tjerash parashikon referendum për shkarkimin e kryetarit të Komunës, diçka që me kornizën ligjore deri më tani nuk është parashikuar.
Korniza, parashikon që nëse 20% e qytetarëve kërkojnë mocion për shkarkimin e kryetarit të komunës, Këshilli Komunal detyrohet të shpallë referendum për këtë çështje. Me ligjin, gjithashtu parashikohet edhe themelimi i Policisë komunale, një premtim që thuajse të gjitha partitë e kanë bërë. Risi, do të jetë edhe përfshirja e qytetarëve në buxhetet komunale, ndërsa parashikohen edhe pyetje nga këshilltarët për të gjithë bartësit e funksioneve komunale, krahas kryetarit. Gjithashtu, kryetari do të detyrohet të raportojë së paku një herë në vit para Këshillit Komunal në lidhje me punën e kryer.