Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu shtuan mesatarisht 30 ditë shtesë me nxehtësi ekstreme gjatë vitit të kaluar për gati gjysmën e popullsisë së botës, sipas një raporti të ri të publikuar në vigjilje të Ditës së Veprimit Kundër Nxehtësisë më 2 qershor, transmeton Anadolu.
Studimi, i kryer nga shkencëtarë nga World Weather Attribution (WWA), Climate Central dhe Qendra e Klimës së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, thekson rreziqet në rritje të paraqitura nga valët e të nxehtit, ndërsa përdorimi global i lëndëve djegëse fosile vazhdon.
Midis majit 2024 dhe majit 2025, rreth 4 miliardë njerëz, rreth gjysma e popullsisë globale, u përballën me të paktën 30 ditë shtesë me nxehtësi ekstreme, të përcaktuara si temperatura më të nxehta se 90 për qind e vëzhgimeve historike për rajonet e tyre, krahasuar me një botë pa ndryshime klimatike.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se ndryshimi i klimës e rriti numrin e ditëve me nxehtësi ekstreme të paktën dyfish në 195 vende dhe territore. Të 67 ngjarjet kryesore të nxehtësisë të regjistruara vitin e kaluar u përkeqësuan nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.
“Ky studim duhet të merret si një tjetër paralajmërim i fortë. Ndryshimi i klimës është këtu dhe vret”, tha Friederike Otto, bashkëdrejtuese e WWA dhe lektore e lartë në Imperial College London.
“Ne e dimë saktësisht se si t’i ndalojmë përkeqësimin e valëve të të nxehtit: të ristrukturojmë sistemet tona të energjisë për të qenë më efikase dhe të bazuara në burime të rinovueshme, jo në lëndë djegëse fosile”, shtoi ajo.
Mariam Zachariah, një studiuese në Imperial College London, i përshkroi rezultatet si “tronditëse”, duke vënë në dukje se periudhat e shpeshta dhe intensive të nxehtësisë lidhen me ndikime të përhapura, duke përfshirë sëmundjet nga nxehtësia, vdekjet, humbjet e të korrave, uljen e produktivitetit dhe ndërprerjet e transportit.
Roop Singh, kreu i Urbanizmit dhe Atribuimit në Qendrën e Klimës së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, theksoi nevojën urgjente për të rritur reagimet.
“Ne kemi nevojë për sisteme më të mira paralajmërimi të hershëm, plane veprimi për nxehtësinë dhe planifikim urban afatgjatë për t’iu përgjigjur sfidës në rritje”, tha Singh.
Zëvendëspresidentja për Shkencën në Climate Central, Kristina Dahl, theksoi se nxehtësia është pasoja më vdekjeprurëse e ndryshimeve klimatike.
“Nuk ka vend në Tokë të paprekur nga ndryshimet klimatike dhe ne kemi shkencën për të përcaktuar sasinë se si emetimet e karburanteve fosile po riformësojnë temperaturat tona të përditshme dhe po vënë miliarda njerëz në rrezik”, tha ajo.
Raporti u bën thirrje qeverive të forcojnë planet e veprimit kundër nxehtësisë, të rrisin monitorimin dhe raportimin e ndikimeve të nxehtësisë dhe të përparojnë strategjitë afatgjata të përshtatjes.