Këngëtarja, sipërmarrësja dhe ikona e modës Rihanna ka zbuluar se është në pritje të fëmijës së saj të tretë, gjatë paraqitjes së saj të shumëpritur në Met Gala, ngjarjen më të madhe të modës në botë, që zhvillohet çdo vit në Muzeun Metropolitan të Artit në New York.

E veshur me një fustan elegant të errët dhe me një siluetë mbresëlënëse, 37-vjeçarja tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ndërsa prekte barkun e rrumbullakosur dhe buzëqeshte përpara kamerave në tapetin e kuq.

Ky ishte konfirmimi zyrtar i shtatzënisë, të cilin Rihanna e bëri si zakonisht, në stilin e saj unik dhe plot klas.

Partneri i saj, reperi ASAP Rocky (Rakim Mayers), e shoqëroi në event dhe nuk ngurroi të shprehej me entuziazëm për lajmin. “Është koha t’u tregojmë njerëzve se çfarë po përgatisnim,” tha ai me humor për gazetarët, duke shtuar: “Jam i lumtur që të gjithë janë të lumtur për ne, sepse ne jemi padyshim të lumtur.”

Çifti tashmë ka dy fëmijë, djemtë RZA, i lindur në maj 2022, dhe Riot, i lindur në gusht 2023.

Rihanna është e njohur për mënyrën e veçantë me të cilën ndan lajmet e mëdha të jetës së saj, ajo kishte zbuluar shtatzëninë e parë me një set fotografik të realizuar në Harlem dhe të dytën gjatë performancës spektakolare në Super Bowl 2023.

Met Gala e këtij viti kishte si temë ‘Superfine: Tailoring Black Style’, duke vënë në qendër modën mashkullore dhe ndikimin e saj në historinë dhe kulturën moderne.

Rihanna ishte ndër personazhet e fundit që mbërriti në tapetin e kuq, por padyshim një nga më të komentuaret e mbrëmjes, si gjithmonë në stilin e saj ikonik.