Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore të kryera nga Rusia gjatë natës në disa rajone të Ukrainës, raporton BBC.

Katër viktima u raportuan në rajonin perëndimor të Khmelnytskyit, tre në rajonin e Kievit dhe një tjetër në qytetin jugor të Mykolaivit. Sulmet ndodhën vetëm një ditë pas një prej bombardimeve më të rënda ndaj kryeqytetit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.

Në rajonin e Kievit, kreu i administratës rajonale Mykola Kalashnyk tha se tre persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën.

Ai publikoi imazhe ku shfaqeshin shtëpi të përfshira nga flakët pas goditjeve. Në vetë kryeqytetin, zyrtarët raportuan 11 të plagosur, disa zjarre dhe dëmtime në ndërtesa banimi, përfshirë një konvikt.

Qindra banorë u strehuan në stacionet nëntokësore të metrosë, ndërsa qyteti shënonte festën tradicionale “Dita e Kievit”.