Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për shkëmbimin e 1000 robërve të luftës nga secila palë, njoftoi ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov, pas përfundimit të negociatave në Stamboll.
Nëse shkëmbimi kryhet, do të ishte shkëmbimi më i madh i të burgosurve në më shumë se tre vjet që kur Rusia nisi agresionin në Ukrainë në shkurt 2022.
Rusët njoftuan se u diskutua për një armëpushim dhe u ra dakord që të dyja palët të paraqesin vizionin e tyre për të dhe që negociatat të vazhdojnë për të.
Ata gjithashtu njoftuan se Ukraina kishte kërkuar një takim midis presidentit Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës në më shumë se tre vjet zgjatën më pak se dy orë.
Një burim ukrainas tha se pretendimet territoriale të Moskës po minojnë procesin.
Thuhet se kërkesat ruse janë “të shkëputura nga realiteti dhe shkojnë shumë përtej çdo gjëje të diskutuar më parë”.
Ato përfshijnë ultimatume që Ukraina të tërhiqej nga pjesë të territorit të saj për të arritur një armëpushim “dhe kushte të tjera minuese dhe jokonstruktive”.