Sa para fitoi vitin e kaluar pronari i “Time.mk”? Agregatori i lajmeve – më fitimprurës se një bankë!

Pronari i agregatorit të lajmeve “Time.mk” ka përfituar 728.500 euro fitim neto në vetëm tre vite. Kompania, e cila ka vetëm tre të punësuar dhe merret me ripublikimin e lajmeve të krijuara nga gazetarë të portaleve informative të Maqedonisë së Veriut, ka arkëtuar të ardhura totale prej rreth 1.1 milion euro nga reklamat, shkruaj Faktor.mk.
Për vite me radhë, “Time.mk” ka ripublikuar lajme pa krijuar asnjë përmbajtje vetanake dhe, në shumë raste, pa i paguar portaleve burimore asnjë qindarkë. Ky është pikërisht motivi pse mbi 40 pronarë portalesh kërkuan që agregatori të ndalojë publikimin e përmbajtjes së tyre pa kompensim.
Vetëm gjatë vitit 2024, “Time.mk” ka gjeneruar të ardhura prej 426.000 euro, ndërsa fitimi neto ka qenë 303.500 euro – 71% e të ardhurave totale. Në vitin 2023, ky raport ishte 64%, dhe në vitin 2022, 67%. Të dhënat zyrtare të marra nga baza e të dhënave të Regjistrit Qendror tregojnë qartë se bëhet fjalë për një kompani me fitim të lartë.
Struktura e shpenzimeve të shoqërisë “Time – Borg” DOOEL Shkup tregon se më së shumti janë shpenzuar për paga – gjithsej 48.600 euro për tre të punësuar. Për tatimin mbi fitimin janë paguar 34.200 euro, për shpenzime të tjera operative 28.500 euro dhe 8.000 euro për amortizim. Totali i shpenzimeve për vitin 2024 ishte rreth 120.000 euro.
Sipas të dhënave të publikuara, pronari Igor Trajkovski ka tërhequr për vete një dividend prej 221.800 euro gjatë vitit të kaluar.