Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur sanksione të reja Sudanit, pasi që është evidentuar se përgjatë zhvillimit të luftës civile janë përdorur armë kimike, ka raportuar BBC.

Eksportet e SHBA-së drejt këtij vendi do të kufizohen dhe do të vendosen kufij për huamarrjen financiare, duke filluar nga data 6 qershor, thuhet në njoftimin e lexuar nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Si ushtria sudaneze, ashtu edhe grupi paraushtarak RSF janë akuzuar për krime lufte gjatë konfliktit.
BBC-ja ka kontaktuar autoritetet sudaneze për një reagim ndaj vendimit më të fundit të SHBA-së, mirëpo zyrtarët sudanezë ende nuk janë deklaruar lidhur me çështjen.

Më shumë se 150,000 persona kanë mbetur të vrarë gjatë konfliktit, që nisi dy vjet më parë si rezultat i luftës për pushtet ndërmjet Ushtrisë sudaneze dhe grupit paraushtarak RSF

Në muajt e fundit, forcat ushtarake e kanë rikthyer në kontroll kryeqytetin, Khartoum, porse luftimet vazhdojnë në pjesë të tjera të vendit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume