Shënohet sukses në Urologjinë e Maqedonisë: Për herë të parë u kryen me sukses tre ndërhyrje për implantim të protezave penile

Klinika për Urologji në Shkup ka shënuar një kapitull të ri në historinë mjekësore të Maqedonisë. Për herë të parë në shëndetësinë publike janë realizuar me sukses tre operacione për vendosje të protezave penile, duke e futur vendin në radhët e sistemeve më të avancuara shëndetësore që ofrojnë zgjidhje kirurgjikale për disfunksionin erektil organik.
Ky trajtim inovativ është i dedikuar për pacientë tek të cilët trajtimet konvencionale me medikamente nuk japin rezultate, veçanërisht për persona me diabet të avancuar, sëmundje kardiovaskulare, ndërhyrje të mëhershme kirurgjikale të mëdha, viktima të aksidenteve dhe kushte të tjera shëndetësore, ku proteza penile mbetet zgjidhja e fundit. Një ndër këto indikacione është edhe sëmundja e Peyronie-s, e cila shkakton deformim të theksuar të penisit. Disfunksioni erektil është një gjendje ku pacienti nuk mund të arrijë apo të mbajë ereksion, duke prekur rreth 30% të meshkujve të rritur, me përqindje në rritje me kalimin e moshës.
“Vendosëm proteza penile te dy pacientë të moshës 45 dhe 59 vjeç, të cilët më parë ishin operuar nga kanceri i prostatës, ndërsa i treti vuante nga sëmundja e Peyronie-s. Pacientët po shërohen mirë dhe zakonisht kërkohet qëndrimi spitalor për rreth tre ditë. Me këtë procedurë jo vetëm që përmirësojmë funksionin seksual të pacientëve, por ndikojmë pozitivisht edhe në stabilitetin e tyre psikologjik dhe cilësinë e përgjithshme të jetës”, deklaroi dr. Ognen Ivanovski nga Klinika Universitare e Urologjisë, i cili bashkë me urologun e njohur rumun, dr. Marcel Rad nga Fakulteti i Mjekësisë në Rumani, kreu operacionet.
Këto ndërhyrje janë të mbuluara plotësisht nga Fondi për Sigurim Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përbëjnë një shërbim të ri në sistemin shëndetësor publik. Klinika planifikon nevojën vjetore për 15 proteza. Më parë, pacientët me këtë gjendje referoheshin në klinikat private apo jashtë shtetit, duke i kushtuar FSSH-së çmime shumë më të larta.
“Ashtu si në qendrat më të avancuara botërore, edhe tek ne këto operacione janë tërësisht të financuara nga sigurimi shëndetësor shtetëror – një hap i madh përpara për sistemin publik shëndetësor”, tha drejtori i klinikës, dr. Bashkim Shabani.
Ekzistojnë kritere të rrepta mjekësore për vendosjen e një proteze penile. Rasti i çdo pacienti shqyrtohet individualisht nga kolegjiumi profesional i klinikës për të përcaktuar nëse ai i plotëson kushtet për këtë ndërhyrje kirurgjikale. Do të përdoren dy lloje të protezave: proteza penile semirigide dhe ajo inflantabile me tri komponentë.
Shpesh, disfunksioni erektil është simptoma e parë e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit ose hipertensionit. Trajtimi zakonisht fillon me barna, por nëse ato nuk funksionojnë ose janë të ndaluara për pacientin, pasohet me ndërhyrje kirurgjikale, në përputhje me udhëzimet e Shoqatës Evropiane të Urologjisë.
“Me këtë metodë moderne vendosen cilindra të posaçëm në trupat kavernoze të penisit – zona që zakonisht mbushet me gjak gjatë ereksionit. Cilindrat janë të lidhur me një pompë të vogël nën lëkurë midis testikujve, e cila aktivizohet me lehtësi nga vetë pacienti. Sistemi funksionon përmes një rezervuari me solucion steril, i vendosur në zonën e legenit pranë fshikëzës së urinës dhe nuk është i dukshëm nga jashtë. Me shtypjen e pompës, lëngu kalon në cilindrat duke shkaktuar ereksion, ndërsa pas marrëdhënies, me shtypjen e një butoni, lëngu kthehet në rezervuar dhe penisi rikthehet në gjendje të relaksuar”, shpjegon dr. Ivanovski.
Proteza e implantuar mund të përdoret pas gjashtë javësh nga operacioni. Kohëzgjatja e saj varet nga cilësia e pajisjes dhe sjellja e pacientit. Si çdo operacion, ekziston rreziku i ndërlikimeve si infeksioni (në 2-3% të rasteve), defekt në pajisje apo, në raste të rralla, zhvendosje e protezës. Rreziku i infeksionit reduktohet ndjeshëm falë trajtimit antibakterial të cilindrave të silikonit që përdoren në këto proteza.