SHGM: Raporti i “Reporterëve pa Kufij” është tregues real për nevojën e reformave në sektorin mediatik

Në raportin më të fundit të Reporterëve pa Kufij, Maqedonia ka rënë për gjashtë pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias për vitin 2024 dhe tani renditet në vendin e 42-të. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e konsideron raportin si një pasqyrë reale dhe të balancuar të gjendjes, që thekson qartë sfidat ekzistuese dhe nevojën për reforma thelbësore.
Në pjesën juridike, raporti vëren se legjislacioni kombëtar ende nuk është përshtatur me standardet evropiane dhe se keqpërdorimi i të ashtuquajturave padi SLAPP (padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike) mbetet një mekanizëm presioni ndaj mediave dhe gazetarëve kritikë.
Në aspektin e sigurisë, ndonëse është hap pozitiv caktimi i pikave të kontaktit në Prokurori dhe MPB për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, raporti thekson raste të vazhdueshme të frikësimeve, presioneve dhe sulmeve, që ndikojnë në ndjenjën e sigurisë te gazetarët, veçanërisht ata që raportojnë për abuzim me pushtetin dhe korrupsionin.
Raporti nënvizon edhe tendencën që bartësit e funksioneve publike të kenë qëndrime negative dhe poshtëruese ndaj gazetarëve, gjë që krijon një atmosferë mosbesimi dhe mungese dinjiteti që reflektohet edhe në diskursin publik dhe kërcënimet reale ndaj gazetarëve.
Në aspektin ekonomik, vihet në dukje se financimi i mediave është i kufizuar dhe jotransparent, ndërsa redaksitë shpesh janë të ekspozuara ndaj ndikimeve ekonomike.
Raporti përfshin edhe vitin zgjedhor 2024, në një klimë politike të polarizuar që rezultoi me diskurs të rritur partiak në komunikimin publik dhe në media.
Këto gjetje, sipas SHGM-së, janë sinjal i qartë për institucionet se janë të nevojshme reforma të menjëhershme dhe të koordinuara për forcimin e sektorit mediatik dhe përmirësimin e pozitës së gazetarëve. Prioritetet kyçe janë:
Përshtatja e legjislacionit kombëtar me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), për të siguruar një kornizë më të qartë dhe transparente ligjore;
Krijimi i një fondi për mbështetjen e pluralizmit mediatik, për forcimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së gazetarisë profesionale;
Zgjidhje efektive për rastet serioze të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, duke përfshirë zgjerimin e mekanizmave institucionalë edhe jashtë kryeqytetit;
Futja e mbrojtjeve ligjore kundër keqpërdorimit të padive SLAPP, për të mbrojtur gazetarët që raportojnë në interes të publikut.
Politikanët, veçanërisht ata në pozita pushteti, duhet të marrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë në krijimin e një kulture respekti, transparence dhe komunikimi konstruktiv me mediat. Me njohjen publike të rolit të gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe përmbajtjen nga gjuha fyese, mund të përmirësohet ndjeshëm mjedisi i përgjithshëm mediatik dhe të rritet besimi i publikut.
SHGM mbetet e përkushtuar për të mbështetur reformat që do të avancojnë lirinë e shprehjes, do të përmirësojnë kushtet e punës për gazetarët dhe do të kontribuojnë në rritjen e besimit të publikut në media.