Shkruan: Merxhan Jakupi
Pas mbarimit të Luftës së Madhe, sekretari i komitetit, ish-komisar, ishte nisur për në katundet e Malësisë së Sharrit, për të hapur një kooperativë bujqësore.
Në hyrje të katundit ndodhej udhëkryqi që ndante rrugën për në Prizren. Cukthi, ngjitur me oborrin e xhamisë, ku në mes ishte varri i Hajdar Babës. Sipas shumë të dhënave, ai ishte njeriu i parë që kishte ardhur dhe kishte vënë themelet e para të këtij katundi. Përballë ndodheshin rrënojat e hanit të dy vëllezërve Mersim dhe Merxhan Jakupi.
Tek Cukthi ishin veteranët dhe kryeplaku i katundit, duke pritur sekretarin e komitetit të Luftës së Madhe. Tek shkolla në hyrje ishin shkruar slogane: “Rroftë vëllazërim-bashkimi”, ndërsa në korridorin e shkollës ishin portretet e liderëve komunistë, Stalinit, Titos dhe Enver Hoxhës. Fjalimin e hapi sekretari, duke folur për dëshmorët që kishte dhënë Malësia dhe ky katund. Për lavdinë dhe heroizmin e këtyre dëshmorëve, që dhanë jetën, në të ardhmen do të ngrihet një pllakë përkujtimore. Në atë moment filluan brohoritjet dhe ovacionet: “Tito-Enver, ne do të flasim përherë!”
Një veteran i luftës, Pajazit Laçi, me grushtin përpjetë tha: “Rroftë shoku Tito! Rroftë shoku Stalin! Rroftë shoku Enver!”
Sekretari i komitetit të rrethit, në fund, zgjodhi për drejtor të kooperativës shokun Pajazit Laçi. “Keni kontribuar dhe keni privilegjin nga Partia të keni merita të larta,”, i tha ai.
Pajazit Laçi, pas mbarimit të luftës, kishte marrë nofkën “Pajo Komunisti”. I skuqur në fytyrë, Pajo Komunisti i tha në gjuhën serbo-kroate: “Druzhe (shoku) komisar, unë me shumë dëshirë do ta pranoj këtë funksion, por unë nuk di shkrim e lexim.” Njëri që ishte në krah të sekretarit tha: “Problem, qenka analfabet.” Sekretari ia vuri dorën mbi shpatulla: “Nuk është problem, ju duhet të jeni drejtor i kooperativës.”
Pajo kishte një shkop me dorezë të kthyer rrumbullak. Sekretari mori bastunin dhe i tha: “Në dorë ke si simbol germën P. Ndërsa për germën e mbiemrit ke dy vija, L. Kjo do të jetë vula e firmës.”
Lavdi dhe Zoti i dhëntë jetë të gjatë, të rrojë sa malet e Sharrit, se na zbardhi fytyrën gjithë Malësisë dhe gjithë katundit. Pajo Komunisti ishte i pari që ua hoqi ferexhet, xharet dhe shamitë nënave, nuseve të vëllezërve, të shoqes, por kur ia hoqi gjyshes shaminë, gjyshja e nëmi: “Ishalla, Jarabi, hataja, damlla të rëntë dhe të djegë zjarri i xhehnemit!”
Veteranët e Dovletit dhe imami i katundit thoshin se prej kur u bë drejtor i kooperativës, Pajazit Laçi është azdisur, harlisur dhe gjithë njerëzit i dukeshin si miza. Pajo Komunisti shpesh përsëriste nocione, maksima: “marksistë e leninistë, i jemi betuar partisë!”
Kishte filluar t’u ndalonte gjysheve, nënës dhe babait ritualet dhe faljet e namazit. Natën, te shkolla, së bashku me veteranët e Luftës së Madhe, pinin raki dhe këndonin këngë partizane në gjuhën serbo-kroate. Të dehur tapë, kur në xhami pleqtë falnin jacinë, Pajo komunisti kishte gjuajtur me gurë dhe kishte thyer xhamin e dritares së xhamisë.
Kur imami, bashkë me Mezinin, në mëngjes u nisën për në xhami, Pajo komunisti tha: “Turkoshak, anadollak! Nuk është profet i shqiptarëve Muhamedi apo Krishti, por janë Marksi e Lenini.”
“U NISËN PËR NË XHEHNET, E VAJTËN NË XHEHNEM”
Pasi filloi lufta, katundi ishte përçarë. Disa djem malësorë kishin dalë dhe ishin tubuar, duke u bashkuar me çetat e Xhem Hasës. Një komisar dhe një kapiten kishin zbritur nga malet si mjegulla, për të mobilizuar dhe rekrutuar djemtë për Luftën e Madhe. Tellalli i katundit me lodër kishte thirrur: “O milet e katundarë, sot janë nisur djemtë tanë për në luftë, për të çliruar vatanin dhe milettin!”
Kishin shtruar sofra me mish, jani, groshë, birjan dhe hallvë. Pasi imami kishte bërë lutjen e sofrës, ai recitoi disa ajete të Kuranit. Në fund, i përktheu me një gjuhë arkaike: “Këta djemtë tanë, që luftojnë për miletin dhe vatanin, do të jenë shehitë. Do të shkojnë në xhenet.”
Çaushi e ndërpreu imamin. Çfarë janë këto fjalë, hoxhë efendi? Po ata djemtë tanë që ngjeshën hutat dhe shkuan të luftojnë me çetat e ballistëve të Xhem Hasës, për ku do të shkojnë? Për në xhenet, apo në xhehenem?
Imami nxori shallin dhe fshiu djersët. Ishte në siklet. “Edhe ata, edhe ata do të shkojnë në xhenet,” tha ai me zë të ulët.
Zeneli u hodh dhe ia mori fjalën nga maja e gjuhës. “Eh, hoxhë efendi! Në kohën e Dovletit ishe me Babë Sulltanin, në kohën e Serbit ishe me Krajlin. E tash nuk mundesh të rrish në dy kujna. Ose me ne, ose me ata!”
Kërcej e mori fjalën, Alush Zenaj dhe tha: “Nuk duhet besuar kaurve të Evropës! As frengut, junanit, serbit e bullgarit!”
“Të lumtë, e të hëngërt goja mjaltë!” ia tha Mamuti.
Pasi kishin ngrënë iftarin dhe kishin falur taravinë, ishin mbledhur tek oda e madhe e Ziber Ukës, të gjithë burrat dhe pleqtë. Kishte ardhur një mysafir i lartë. Në shilte të shtruara me postaqe ishte ulur mysafiri, imami. Në krah të tij ishin mezini dhe çaushi. Nikoqiri, Ziber Uka, tha: “O mik, ne malësorët jemi mikpritës e bujarë, por të përçarë. Brenda në katund shpesh kacafytemi e përlahemi si gjelat. Kur shkojmë në katunde e kasaba, bëhemi si malaqet.”
Mysafiri e mori fjalën. “Ashtu është, o mik, edhe tek ne. Grindemi, përlahemi e shahemi, por kur dalim në katundet fqinje e kasaba, sillen si ëngjëj. E njësoj janë… Zogun, e kam fjalën për Mbretin Zog, jashtë e lavdërojnë para italianit, anglezit e gjermanit, e brenda e shajnë. E tash, kur i la me presh në dorë gjithë miletin, po e kërkojnë prapë.”
“Të lumtë goja, o mik, e të bekoftë i Madhi Zot!”, ia priti dikush.
“Se edhe tek ne, tash, po e kërkojnë krajlin. Aqif Qafëgjati… na ka zënë haku i Babë Sulltanit. Mazallah po u kthye krajli, ose këta komunistët!”
Pasi e vuri bishtin e cigares në taketuke, mezini tha: “Pesëqind vjet me Dovletin, njëzet vjet me Krajlin, e tash, Zoti e di me kë do jemi. Ishalla kthehet Shqipnija e Madhe!”.
Muhabet pas muhabeti, Alish Topojani iu drejtua imamit: “Pasha Kuranin e Pejgamberin, hoxhë efendi, ti që ke shëtit dynjanë dhe e di përmendësh Kuranin, a po na kallxon, më shumë gjynah është me shku nëpër mejhane e kumorxhihane, e me pi raki, apo është më shumë gjynah mos me u bë synet?”
Në odë ra heshtje dhe të gjithë e shikuan imamin në fytyrë. Imami nisi me disa hadithe: “Më gjynah është me pi, e me shku me orospí e me pi raki. Kurse syneti është sunet, që do të thotë nuk është farz, obligim.”
Kërcej Ristem Topojani dhe tha: “Mati fjalët se ç’po thua, hoxhë efendi!”
Ziber Uka i tha mysafirit: “Këta të Luftës së Madhe, pasi u kthyen, janë bërë më të këqinj se kaurët. Pa din, pa iman, pa fe! Një farë Pajo komunisti, po thonë, nuk do me i bërë dy djemtë synet!”
Zeneli, shakaxhi e hajgarexhi, tha:”Eh, shëndosh u bëfshin, si me kapuç, si pa kapuç, për zonjat nuk është qeder!”. Shpërtheu gazi dhe të qeshurat. Mamuti fshiu lotët me shami, kurse mysafiri qeshi me zë të lartë “Ha ha ha!”
Imami, që rrallë qeshte, filloi të qeshte me zë të hollë: “Hi hi hi…”
Rustem Topojani, që ishte kushëri i afërt i Pajazit Laçit, u zymtua në fytyrë dhe deshi të thoshte, mblidhni gojën, mos u zgërdhini, se nuk është për shaka kjo punë!”.Por kur pa se edhe mysafiri dhe imami kishin shpërthyer në gaz, u ndal.
Tek kafeneja e Lutës dhe te sokaku i Lurajve bëhej muhabeti, se Laçit nuk do t’i bëjë djemtë synet! Disa thoshin po, disa jo. Lajmi u kishte shkuar plakave, nuseve dhe çikave.Tek jazi i mullinit, gratë duke larë rrobat, qeshnin dhe hangarizeshin. Një boshnjake, hijerëndë, kishte folur një fjalë të pistë. Nuset, me fytyra të skuqura, bënin sikur nuk dëgjonin. E çikat, duke shkuar te kroi, bënin muhabetin e “sinetllëkut” dhe qeshnin e qeshnin me lotë.
Kishin ardhur nga rrafshi sekretari i komitetit së bashku me një inspektor dhe disa policë. Kishin shpërndarë pamflete dhe ca slogane në disa katunde të Malësisë, përfshirë edhe këtë katund. Inspektori dhe sekretari kishin marrë disa ish-ballistë dhe veteranë të luftës në pyetje. Kishin pyetur edhe Pajo Komunistin se a ka këtu anti-komunistë dhe stalinistë? Pajo ishte përgjigjur me çallëm e me kurajë: “Të gjithë jemi komunistë dhe stalinistë!”
Inspektori e kishte ndarë mënjanë dhe e mori në pyetje veçmas. Sekretari i tha inspektorit: “Siç duket, shoku Pajo nuk i dinë këta terma… dhe është analfabet.” Inspektori tha se për çdo moskonsekuencë, në fund do të marrësh vetë përgjegjësinë.” Sekretari, i zbehur në fytyrë, i rrudhi krahët në shenjë pasigurie. Në fund, policët ia vunë prangat Pajo Komunistit.
Arrestimi i Pajazit Laçit, me nofkën “Pajo Komunisti”, te kafenja e Lutës dhe tek sokaku i Lurëve kishte bërë bujë. Vlonte muhabeti. Disa ishin ngazëllyer dhe thoshin se Zoti nuk është mace të të gërvishtë! Disa burra të tjerë, me një dozë cinizmi, shprehnin një lloj empatie.
Veteranët e Dovletit, pasi dilnin nga xhamia, thoshin se e kanë zënë nëmat e gjyshes. Haqif Qafëgjati tha se e kanë zënë nëmat e imamit.
Kur kishte parë imami Pajo Komunistin me pranga në duar, kishte thënë: “Këta partizanë, që shkuan të luftojnë për milet e vatan… u nisën për në Xhenet, por mbaruan në Xhehnem.”
Kur mbërritën te ura e lumit, sekretari dhe inspektori panë në njërin hark të urës një mbishkrim të bërë në alfabetin cirilik dhe në gjuhën serbo-kroate: “HOÇEMO KRALJA, NEÇEMO TITA, NAROD SE PITA (Duam Krajlin, nuk duam Titon, populli vendos)
Inspektori, i xhindosur, iu vërsul Pajos: “Bir kurve! Trego, kush e ka shkruar këtë parullë?”. Pajo, duke i rrudhur krahët dhe përbetuar në emër të partisë, tha: “Ne veteranët e Luftës së Madhe jemi betuar për Partinë! Por ndoshta ballistët kanë shkruar këso lloj parullash.” Sekretari tha se siç duket, këtë slogan e kanë shkruar tanët.
Menjëherë dërgoi një polic te mulliri aty afër, që të sillte pak katran. Pasi fshinë parullën për krajlin, poashtu fshinë edhe në harkun urës emrin e Stalinit, ku ishte shkruar “Rroftë shoku Stalini! Rroftë shoku Tito! Rroftë shoku Enver Hoxha!”. Kjo kishte ndodhur pak para prishjes së dy prijësve komunistë.