Në Ditën e Europës, Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, z. Denion Meidani, ka përcjellë një mesazh urimi dhe reflektimi mbi rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke theksuar ritmin e shpejtë me të cilin vendi po avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt destinacionit që ka ëndërruar gjithmonë: anëtarësimi në familjen e madhe europiane. Rruga ishte e gjatë, por ritmi është i qartë — dhe ky tren nuk ndalet më,” – shkroi ambasadori Meidani në një postim në rrjetet sociale.
Ky mesazh vjen në të njëjtën ditë kur Kryeministri i Shqipërisë njoftoi zyrtarisht se më 22 maj në Bruksel do të mbahet Konferenca e Pestë Ndërqeveritare, me hapjen e kapitullit të radhës “Konkurueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke e çuar në 24 numrin e kapitujve të hapur në procesin e anëtarësimit.
Ambasadori Meidani e cilësoi këtë si një moment që pasqyron jo vetëm përparimin teknik, por edhe vullnetin e palëkundur të shqiptarëve për t’u bërë pjesë e pandarë e familjes europiane.