Ngërçi institucional që ka bllokuar konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës po vazhdon. Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj që nga përpjekja e parë, Kuvendi mbetet i pakonstituar, ndërsa partitë politike vazhdojnë të hedhin fajin tek njëra-tjetra për situatën e krijuar.
Sot, më 31 maj, deputetët do të mblidhen në orën 10:30, në tentativën e 24-të për ta formuar organin më të lartë ligjvënës të vendit. Ndonëse hapat për konstituimin nisën që më 15 prill, bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë, pa shenja zgjidhjeje.
Ashtu si në seancat e kaluara, partitë opozitare – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – nuk kanë propozuar anëtarë për Komisionin që do të organizojë zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit përmes votimit të fshehtë, duke pamundësuar kështu vazhdimin e procedurave.
Në vazhdimet e mëparshme të seancës, për përbërjen e këtij komisioni votuan 55 deputetë, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Në mungesë të kuorumit, Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu punën e Kuvendit.
Përplasjet ndërmjet partive politike vazhdojnë, me akuza të ndërsjella për ngërçin institucional. PDK dhe AAK kanë refuzuar kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, ndërsa LDK ka deklaruar se zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike.
Pavarësisht ftesës për koalicion që Vetëvendosje i kishte bërë LDK-së javë më parë – e që ishte refuzuar – tani nga VV-ja po theksohet se nuk kanë nevojë për partnerë për ta përfunduar konstituimin.
“Tash Kuvendi është i 120 deputetëve dhe duhet të konstituohet nga 120 deputetë. Aty nuk ka nevojë për partnerë. Secili e ka pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka deklaruar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri në detyrë, në një intervistë për Deutsche Wellen.
Sipas tij, “Nuk ka krizë qeveritare në Kosovë por ka pengesa në zgjedhjen e kryesuesve të Kuvendit”.
Nga radhët e VV-së nuk ka sinjale se do të tërhiqen nga kandidatura e Albulena Haxhiut, e as nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Haxhiu, në të gjitha raundet e votimit, nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje i nevojiten 61.