Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, sot pritet të shpallet aktgjykimi për rastin e aksidentit fatal ku u përplas për vdekje Frosina Kulakova. Në seancën që filloi më 9 maj, i akuzuari Vasil Jovanov e pranoi fajësinë për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”, lidhur me aksidentin që ndodhi në janar të këtij viti në bulevardin “Partizanski Odredi” në Shkup.
Sipas aktakuzës, më 29 janar, Jovanov – pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit – ka drejtuar makinën me shpejtësi 91 km/h në këtë bulevard. Në një vijë kalimi për këmbësorë, në semafor të kuq për veturat, ai goditi Frosina Kulakovën, e cila po kalonte në semafor të gjelbër për këmbësorët. Si pasojë e goditjes së fuqishme, Frosina pësoi lëndime të rënda trupore dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Për këtë vepër, ligji parashikon dënim me burgim deri në 20 vjet.