Britania e Madhe do të intensifikojë përpjekjet për të luftuar rrjetet kriminale në mbarë Ballkanin Perëndimor, të cilat lehtësojnë emigrimin e paligjshëm, deklaroi të enjten kryeministri Keir Starmer, vetëm disa ditë pasi ai njoftoi një paketë të gjerë reformash për të reduktuar emigrimin e ligjshëm.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në angazhimin kundër rrjeteve kriminale dhe emigracionit të paligjshëm “kemi arsye të jemi shumë krenarë për punën që kemi bërë”.

“Në vitin 2024, numri i shqiptarëve që kanë hyrë, apo tentuar të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Britani, është disa qindra, ndërkohë që në momentin që ne kemi shtyrë përpara për ta ngritur task-forcën e përbashkët, arriti në 12 mijë, përkatësisht në vitin 2022 kur pati një fluks të madh”, tha Rama.

Rama e ngriti edhe një çështje tjetër, që në Britaninë e Madhe ka shumë shqiptarë të cilët kanë arritur dhe janë sistemuar atje shumë vite më parë, dhe se “të gjithë janë të integruar në jetën e Britanisë së Madhe, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta, më saktë identitet të Kosovës, për të pasur pranimin si refugjatë lufte, ndërkohë që largoheshin nga një vend në vështirësi të mëdha”.

“Ata sot jetojnë me dy identitete, një identitet për shtetin britanik, një identitet këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme, të cilave mund t’u jepet një zgjidhje, duke pasur parasysh se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vjetësh dhe janë kontribuues me shumë dinjitet në ekonominë dhe në jetën shoqërore të Britanisë”, tha Rama.

Starmer i shprehu mirënjohje Ramës për “mbështetjen dhe për udhëheqjen tuaj të guximshme për çështjet e emigracionit, me të cilat përballet kontinenti ynë”.

“Ajo që thatë edhe ju, task-forca jonë e përbashkët, pra siç e theksuat, në fakt kanë përveshur mëngët, kanë ecur përpara, kanë punuar, më shumë sesa të shkruanin letra nga njëri shtet tek tjetri, dhe ka funksionuar për të frenuar emigracionin e paligjshëm. Ndërkohë kemi edhe marrëveshjen tonë të përbashkët për transferimin e personave të dënuar, sepse ne dëshirojmë që pikërisht këta të dënuar ta vuajnë dënimin këtu në Shqipëri, ndërkohë që kemi mbështetur të rinjtë që ta kryejnë dhe ta kenë jetën e tyre në Shqipëri”, theksoi Starmer.

Kjo ishte vizita e parë e Starmerit në Shqipëri si kryeministër britanik.

Ai pritet të dhurojë dy pajisje për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara, me qëllim identifikimin e atyre që përdorin pasaporta të rreme.

Gjithashtu, ai pritet të njoftojë zgjerimin e një task-force të përbashkët për migrimin, për ta përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Në këtë grup aktualisht bëjnë pjesë Shqipëria dhe Kosova.

Në vitin 2022, shqiptarët përbënin grupin më të madh të migrantëve që hynin në Britani me varka të vogla, por numri ka rënë ndjeshëm që atëherë, pjesërisht për shkak të një marrëveshjeje për dëbim të arritur nga qeveria e mëparshme konservatore.

Sa i përket migrimit të ligjshëm — që përbën shumicën dërrmuese të hyrjeve në Britani — Starmer premtoi të hënën se do të ulë ndjeshëm numrin neto të ardhjeve, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të bëhet “një ishull i të panjohurve” nëse nuk ndërmerren masa më të rrepta./REL