Shtatë persona kanë mbetur të plagosur, prej tyre tre në gjendje të rëndë, pas një sulmi me granata që ndodhi në një qendër argëtimi në lagjen Kağıthane të Stambollit. Sipas informacioneve të para, dy persona që udhëtonin me motoçikletë hodhën granata në drejtim të katit të dytë të një ndërtese pesëkatëshe, rreth orës 01:40 pas mesnate, me orën lokale.

Qendra e argëtimit ndodhej në një nga katet e ndërtesës, dhe sipas gazetës “Hürriyet”, që citon agjencinë Ihlas (İHA), shpërthimi shkaktoi panik dhe dëme të mëdha materiale.

Menjëherë pas sulmit, në vendin e ngjarjes arritën ekipe emergjente dhe zjarrfikëse. Personeli mjekësor transportoi të plagosurit në spitalet më të afërta për trajtim. Autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të identifikuar autorët e sulmit.

Hetimet janë në vijim, ndërsa motivet e mundshme të këtij sulmi ende nuk janë bërë të ditura.