Kur gënjeshtra bëhet strategji, padrejtësia bëhet identitet! Kështu e nis shkrimin e tij në rrjetet sociale kryetari i Kuvendit të ASH-së, Nazim Taipi.
Përmes këtij shkrimi Taipi i drejtohet ish bashkëpartiakut, Arben Fetai, i cili siç thotë në vend të mbrojtjes së shqiptarëve, është vendosur në shërbim të pazareve.
“Deri dje pjesë e Aleancës për Shqiptarët, sot Arben Fetai është shndërruar në zërin më të zellshëm të shpifjeve dhe intrigave kundër Arben Taravarit. Në vend që të mbrojë interesin e shqiptarëve, ai ka zgjedhur rrugën e sulmeve të ulëta – në shërbim të pazareve që dikur i dënonte me fjalë, por sot i përqafon me vepra”, shkruan Taipi.
Ai më tej thotë se Fetai flet për gjoja pazare me BDI-në, pa asnjë fakt.
“Flet për gjoja interesa personale, pa asnjë provë.
Flet si i dëshpëruar, sepse e di që nuk ka më vend në politikën e ndershme shqiptare”.
Sipas Taipit, Fetai sot është bërë simbol i atyre që për karrierë personale janë gati të shkelin mbi çdo parim dhe mbi çdo bashkëpunëtor.
“Por nuk do të ia dalë! Një ditë, do të bëhet vetë viktimë e padrejtësisë që sot po e prodhon me dorën e vet. Arben Taravari është dhe mbetet zëri i vetëm i drejtë, i guximshëm dhe i vendosur në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.
Ai nuk shitet, nuk përkulet dhe nuk i nënshtrohet pazareve në dëm të shqiptarëve”, shkruan më tej Taipi.
Ai thotë se “Ne jemi me Taravarin, sepse kauza jonë nuk është për poste e privilegje – është për dinjitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve”.