Taipi: Anketat treguan se ASH-ja është mbi 50% e VLEN-it dhe se mbi 70% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me punën e koalicionit
Nënkryetari i ASH-së, Nazim Taipi, në emisionin Daily Click në TV21, tha se sipas anketave që kanë realizuar, partia e tyre përbën mbi 50 për qind të VLEN-it. Sipas tij, mbi 70 për qind e qytetarëve nuk janë të kënaqur me punën e koalicionit shqiptar në qeveri.
“Kemi bërë dy lloje anketash. Kemi parë pozicionin tonë brenda koalicionit qeveritar, ku anketat kanë treguar se ASH-ja është mbi 50% e koalicionit VLEN. Ndërkaq, me anketat e tjera kemi matur punën e koalicionit VLEN brenda qeverisë, ku ka rezultuar se mbi 70% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me punën e tij,” tha Taipi.
⸻
Nazim Taipi: Rruga Tetovë–Prizren është në pikën zero, partneri më i madh na bllokonte – nuk do të bëhet brenda këtyre katër viteve
Nënkryetari i ASH-së, Nazim Taipi, sot në TV21 foli edhe për projektin e rrugës Tetovë–Prizren, duke theksuar se është në pikën zero pasi partneri më i madh qeveritar nuk ka vullnet dhe po e bllokon projektin. Sipas tij, e vetmja gjë që është bërë deri tani është formimi i një komisioni, ndërsa për këto katër vite nuk do të ketë asnjë punë në terren, pasi qeveria nuk po i mbështet projektet në zonat shqiptare.
⸻
Taipi: Pozicioni i faktorit politik shqiptar është minor – nuk kemi luftuar për këtë
Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi, theksoi se koalicioni është bërë për të përmbushur premtimet ndaj qytetarëve, e jo për çështje dashurie politike. Ai shtoi se pozicioni politik i shqiptarëve në këtë qeveri është minor dhe se kemi hyrë në një situatë të re për të cilën “nuk kemi luftuar”. Sipas tij, asnjë nga marrëveshjet me partnerin më të madh nuk është respektuar dhe beson se është e dëmshme të vazhdohet më tej në këtë mënyrë.
⸻
Taipi: Me daljen e ASH-së nga qeveria, vihet në pikëpyetje çështja e legjitimitetit
Nënkryetari i ASH-së, Nazim Taipi, në Daily Click tha se me largimin e ASH-së nga qeveria vihet në pikëpyetje çështja e legjitimitetit. Sipas tij, VLEN-i përfaqëson më pak se një të tretën e shqiptarëve dhe nuk do të ketë kuorum për Badenter. Ai shtoi se janë të gatshëm të mbështesin ligje të caktuara që janë në interes të komuniteteve etnike.
“Kështu që ne kishim legjitimitet, por çështja e legjitimitetit mund të diskutohet ose të vihet në dyshim tash e tutje. Me largimin e ASH-së nga qeveria, ku kemi 5 deputetë, dhe me mbetjen e 9 deputetëve të tjerë në këtë përbërje qeveritare, mund të vihet në pikëpyetje funksionimi i mëtejshëm i qeverisë dhe çështja e legjitimitetit të saj,” theksoi Taipi.