Takim i ministres Dimitrieska-Koçoska me ministrin turk të Thesarit dhe Financave, Shimshek – U dakordua intensifikimi i bashkëpunimit midis dy ministrive

6 maj 2025, Shkup – Në takimin e ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska me ministrin turk të Thesarit dhe Financave, Mehmet Shimshek u dakordua bashkëpunim intensiv midis dy ministrive në fushën e politikës tatimore dhe luftës kundër krimit financiar, në këtë takim morën pjesë edhe drejtorët e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova dhe Drejtorisë së Policisë Financiare, Sllobodan Ivanovski.
Drejtoritë tatimore, siç u dakordua në këtë takim në Ministrinë e Financave të Turqisë, do të punojnë në shkëmbimin e drejtpërdrejtë të informacioneve lidhur me risqet tatimore, kontrollet tatimore dhe aktivitetet e ngjashme të përbashkëta, me qëllim monitorimin e obliguesve tatimorë, që mund të ndikojnë në pagesën e tatimeve në të dyja vendet.
Ministrja potencoi se Drejtoria e të Ardhurave Publike ka rol të rëndësishëm në arkëtimin e të ardhurave buxhtore, me ç’rast të gjitha aktivitetet dhe masat që po ndërmerren kanë rëndësi të madhe për rritjen e efikasitetit të arkëtimit të të ardhurave tatimore, si dhe zbatimin e përvojave ndërkombëtare.
Në këtë drejtim u përcaktua dhe nevoja e bashkëpunimit të ardhshëm mes Drejtorisë së Policisë Financiare dhe Njësisë së Hetimeve të Krimeve Financiare përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave për praktika të mira. Njëkohësisht u potencua dhe rëndësia e shkëmbimit efikas dhe në kohë të të dhënave dhe informacioneve, si dhe ndërtimit të kapaciteteve institucionale përmes shkëmbimit të njohurive dhe përvojave.
Të dy ministrat shkëmbyen mendime në lidhje me gjendjen aktuale në nivel global dhe masat që po ndërmerren për ballafaqimin e sfidave.
Dje, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në kuadër të vizitës së punës në Ministrinë e Tregtisë në Turqi, u takua me ministrin Omer Bollat, ndërsa nesër do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Euroaziatik. Në kuadër të delegacionit të udhëhequr nga ministrja marrin pjesë edhe sekretarja shtetërore e Ministrisë së Financave, Andriana Matlioska, shefja e kabinetit, njëherazi këshilltare e posaçme në Ministrinë e Financave, Katerina Antovska, si dhe drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski dhe drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Sllobodan Ivanovski.