Shkup, 8.5.2025 – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Ivan Stoilkoviq, zhvilloi një takim pune me një delegacion nga zyra e UNDP-së në Shkup, i udhëhequr nga drejtori Armen Grigoryan.

Gjatë takimit u diskutuan disa çështje aktuale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të thelluar ndërmjet Ministrisë për marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe UNDP-së për promovimin e besimit ndërmjet bashkësive në Ballkanin Perëndimor. Vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të shkathtësive digjitale te anëtarët e bashkësive në Maqedoni, si dhe përfshirjes më të madhe të tyre përmes shërbimit publik në gjuhën e tyre amtare. Gjithashtu, u inicua hartimi i një strategjie për shënimin e Ditës së Diversitetit Kulturor (21 maj), e bazuar në praktika të mira ndërkombëtare, me synimin e zbatimit të saj të suksesshëm në kontekstin kombëtar.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë për marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe UNDP-së përbën një element kyç në përpjekjet për ndërtimin dhe forcimin e besimit ndërmjet bashkësive të ndryshme. Përmes aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta, veçanërisht në kuadër të iniciativës “Mbështetja e BE-së për ndërtimin e besimit në Ballkanin Perëndimor”, krijohen kushte për gjithëpërfshirje, mirëkuptim të ndërsjellë dhe respekt për dallimet, që janë bazë për një shoqëri të qëndrueshme dhe të zhvilluar. Ky bashkëpunim kontribuon gjithashtu në përparimin e shkathtësive digjitale dhe përfaqësimit mediatik të bashkësive joshumicë, duke forcuar rolin dhe zërin e tyre në shoqëri.