Taravari: Deputetët janë zëri i popullit, dhe kur shumica e tyre janë lënë jashtë qeverisë, përfaqësimi bie në krizë legjitimiteti

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ngritur shqetësime serioze mbi legjitimitetin e qeverisë aktuale në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se mungesa e përfaqësimit të plotë të shqiptarëve në ekzekutiv përbën një deformim të vullnetit qytetar në një shtet multietnik.
Në një intervistë për median kosovare Nacionale, Taravari deklaroi se përbërja aktuale e qeverisë nuk reflekton përbërjen reale të Kuvendit dhe as të shoqërisë, duke vënë në pah se pjesa dërrmuese e deputetëve shqiptarë ndodhen në opozitë.
“Në një vend ku shqiptarët janë shtetformues, nuk mund të kemi një qeveri që funksionon pa përfshirjen e drejtë të përfaqësuesve të tyre. Deputetët janë zëri i popullit, dhe kur shumica e tyre janë lënë jashtë qeverisë, përfaqësimi bie në krizë legjitimiteti,” u shpreh Taravari.
Ai theksoi se modeli aktual qeverisës rrezikon të thellojë ndasitë etnike dhe politike në vend, duke i lënë shqiptarët në margjinat e proceseve vendimmarrëse, pavarësisht kontributit të tyre të vazhdueshëm në jetën institucionale të shtetit.