Shërbimi i mesazheve të enkriptuara, Telegram, ka hyrë në një partneritet me kompaninë e inteligjencës artificiale të Elon Musk, xAI.

Duke e bërë të ditur marrëveshjen në rrjetet sociale, shefi i Telegram-it, Pavel Durov, tha se kjo do t’i mundësojë kompanisë së tij të shpërndajë asistentin AI, Grok, për mbi një miliard përdorues dhe ta integrojë atë në aplikacionet e saj.

Durov tha se marrëveshja – e cila do të zgjasë një vit – do ta shohë kompaninë e tij të marrë 300 milionë dollarë në para dhe aksione nga xAI, si dhe 50 për qind të të ardhurave nga abonimet e xAI të shitura përmes Telegram-it.

“Bashkë fitojmë!”, postoi ai në rrjete sociale, raporton BBC.

Kjo vjen pas integrimit nga Meta të një shërbimi të inteligjencës artificiale në aplikacionin e saj të mesazheve, WhatsApp – një zhvillim që kompania u detyrua ta mbronte pas ankesave të përdoruesve.

Ky bashkëpunim sjell bashkë dy nga figurat më të spikatura dhe ndonjëherë më të diskutueshme të teknologjisë.

Durov u arrestua në Francë në gusht 2024, pasi u akuzua për dështim në moderimin e duhur të aplikacionit të tij për të frenuar kriminalitetin.

Kritikët e kishin cilësuar platformën si ‘dark web në xhepin tuaj’, pasi besonin se në të diskutoheshin një sasi e madhe aktivitetesh kriminale.

Megjithatë, Durov i ka mohuar akuzat që ka dështuar të bashkëpunojë me autoritetet lidhur me trafikimin e drogës, përmbajtjen e abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe mashtrimet.

Platforma ka hedhur poshtë gjithashtu akuzat se politikat e saj të moderimit nuk janë të mjaftueshme.

Musk ka një gamë jashtëzakonisht të gjerë interesash në teknologji, duke filluar nga start-up-i për implantet në tru, Neuralink, e deri te kompania e prodhimit të raketave, SpaceX.

Ai gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe ka bërë fushatë të fuqishme për zgjedhjen e tij – diçka që analistët thonë se po kontribuon në rënien e shitjeve të kompanisë së tij më të njohur, prodhuesit të veturave elektrike, Tesla.

Njeriu më i pasur në botë ka investuar gjithashtu fuqishëm në inteligjencën artifciale.

Ai ishte bashkëthemelues i kompanisë më të njohur të inteligjencës artificiale në botë, OpenAI, kompania që krijon ChatGPT.

Më pas u largua dhe u përfshi në një përplasje të gjatë me shefin e OpenAI-t, Sam Altman, për drejtimin e ardhshëm të kompanisë.

Më herët këtë vit, Musk udhëhoqi një përpjekje të dështuar për ta blerë atë.

Ai gjithashtu ka qenë duke punuar për të zhvilluar xAI si një rival të OpenAI-t dhe liderëve të tjerë të industrisë.