Pak minuta para mesnatës, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut votoi emërimin e Trajko Slaveskit si guvernator të ri të Bankës Popullore. Slaveski mori mbështetjen e 68 deputetëve, ndërsa 16 votuan kundër.

Gjatë debatit të përgjithshëm parlamentar, pati një varg diskutimesh, replika dhe kundër-replika. Deputetët nga shumica parlamentare theksuan kompetencën profesionale dhe përvojën e Slaveskit, ndërsa opozita u përqendrua në përkatësinë e tij politike dhe në dyshimet për ruajtjen e pavarësisë së institucionit.

Trajko Slaveski është figurë e njohur në jetën publike dhe akademike në vend, ndërsa marrja e postit të guvernatorit vjen në një periudhë të ndjeshme për politikën monetare dhe stabilitetin financiar të Maqedonisë së Veriut.