„Me një fjalë trashëguam katastrofë, kjo nuk është një vlerësim personal, por një konstatim i bazuar në të gjitha statistikat që flasin për qeverisjen tuaj,“ theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë përgjigjes ndaj pyetjes së deputetit Ljupço Nikolovski.

„Të rikujtoj se trashëguam një Program për subvencione dhe pagesa direkte ku një numër i madh i mjeteve realisht nuk ishte paguar ndaj bujqve. Trashëguam ndërmarrje që nuk kishin mundësi të ndanin paga. Punonjësit në ato ndërmarrje nuk kishin as sigurim shëndetësor e as pensional. Në SHA Ekonomia e Ujërave të punësuarit nuk kishin marrë pagë për katër muaj. Sistemet e ujitjes i trashëguam në një gjendje aq katastrofale saqë nuk mund t’i rikthejmë në funksion të rregullt as për tre vitet e ardhshme,“ sqaroi ministri.

Ai shtoi se të punësuarit në NP “Pyjet Nacionale” nuk kishin marrë pagë, ndërkohë që, sipas tij, Ljupço Nikolovski udhëtonte nëpër botë.

„Në pjesën e subvencionimit dhe modelit që keni zbatuar, thoni se keni bërë reformë dhe keni aplikuar pagesa avansuese. I nderuar deputet, vetëm në Maqedoni formulimi ‘pagesë avansuese’ i referohet pagesës së rregullt, një manipulim i rëndë“, theksoi Tripunovski.

„Më thoni një segment, një kulturë bujqësore që në kohën tuaj ka shënuar rritje, ka pasur çmim të mirë, treg të garantuar dhe bujq të kënaqur“, i drejtoi pyetje Nikolovskit ministri.

Ministri Tripunovski shtoi se e vetmja politikë e suksesshme e Nikolovskit ishte ajo e shpenzimit të parave të shtetit në udhëtime.

„Gjatë këtyre 11 muajve, mbi bazë të subvencioneve të papaguara, masave shtesë ndërhyrëse dhe pagesave të rregullta të subvencioneve, kemi paguar mbi 8 miliardë denarë ndaj bujqve,“ përfundoi ai.