Trump: Kanadaja “konsideron” të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së në këmbim të mbrojtjes “Kupola e Artë”

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Kanadaja “konsideron” propozimin për t’u bërë shteti i 51-të i SHBA-së në këmbim të pjesëmarrjes falas në sistemin mbrojtës të quajtur “Kupola e Artë” (Golden Dome), transmeton Anadolu.
Trump ndau një postim në llogarinë e tij në “Truth Social” lidhur me mundësinë që Kanadaja t’i bashkohet sistemit mbrojtës “Kupola e Artë”.
“I thashë Kanadasë e cila dëshiron shumë të jetë pjesë e sistemit ‘Kupola e Artë’ se nëse mbetet një vend i veçantë por i pabarabartë, kjo do t’u kushtojë atyre 61 miliardë dollarë, por nëse bëhet shteti ynë i 51-të i dashur, kostoja do të jetë zero dollarë”, tha Trump duke shtuar se Kanadaja po e “vlerëson” këtë propozim.
Trump tha se do të ndërtojnë sistemin mbrojtës “Kupola e Artë” që do të përdoret në mbrojtjen e vendit. “Do të jetë një sistem i teknologjisë së fundit që do të vendosë teknologji të gjeneratës së ardhshme, përfshirë sensorë dhe interceptorë të bazuar në hapësirë, në tokë, në det dhe në hapësirë”, shtoi ai.
Presidenti amerikan theksoi se sistemi në fjalë do të zbatohet para përfundimit të mandatit të tij dhe se për këtë arsye ata presin që sistemi të jetë funksional brenda rreth 3 viteve. Sipas tij, kostoja totale e ndërtimit të sistemit do të jetë afërsisht 175 miliardë dollarë.
“Kanadaja na telefonoi dhe dëshiron të jetë pjesë e kësaj, kështu që ne do të flasim me ta. Edhe ata duan të mbrohen”, u shpreh mes tjerash Trump.
Kryeministri kanadez Mark Carney më 22 maj deklaroi se ata ishin në bisedime me SHBA-në për t’u bashkuar me sistemin mbrojtës “Kupola e Artë”. “A është një ide e mirë për Kanadanë? Po, ofrimi i mbrojtjes për kanadezët është një gjë e mirë”, tha Carney.