Delegacionet nga Turqia dhe SHBA-ja diskutuan “prioritetet e përbashkëta” në Siri në bisedimet e së martës, u njoftua në një deklaratë të përbashkët të palëve, transmeton Anadolu.

SHBA-ja priti Turqinë për një raund të ri të Grupit të Punës për Sirinë në Washington, ku delegacioni turk u drejtua nga zëvendësministri i Jashtëm Nuh Yilmaz dhe pala amerikane nga zëvendëssekretari i Shtetit Christopher Landau.

Ambasadori turk në SHBA Sedat Onal dhe ambasadori i SHBA-së në Turqi Thomas Barrack ishin të pranishëm në bisedime.

Turqia dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin mbi stabilitetin dhe sigurinë në Siri, siç është përcaktuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij amerikan Donald Trump, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ndajnë një vizion për Sirinë – e qëndrueshme dhe në paqe me veten dhe fqinjët e saj – i cili gjithashtu do t’u lejojë miliona sirianëve të zhvendosur të kthehen në shtëpi”, theksohet në deklaratë.

Dy vendet e njohin rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë, thotë deklarata, duke shtuar: “Një Siri e qëndrueshme dhe e bashkuar, e cila nuk ofron strehë të sigurt për organizatat terroriste, do të mbështesë sigurinë dhe prosperitetin rajonal”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume