Ushtria izraelite tha se ka kryer 160 sulme ajrore në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se po vazhdojnë sulmet intensive ajrore ndaj Gazës. Sulmet janë kryer nën drejtimin e ushtrisë dhe agjencisë së inteligjencës vendase Shin-Bet si pjesë e një plani për pushtim të përhershëm të quajtur “Karrocat luftarake të Gideonit”.
Në deklaratë thuhet se 160 sulme ajrore janë kryer në Gaza në 24 orët e fundit dhe se në këto sulme janë shënjestruar armët dhe infrastruktura e Hamasit. Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme mëngjesin e 18 marsit.
Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 3.193 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë janë vrarë dhe 8.993 të tjerë janë plagosur. Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 53.339 ndërsa numri i të plagosurve në 121.034.
Ushtria izraelite njoftoi fillimin e sulmit të tij tokësor, të quajtur “Karrocat luftarake të Gideonit”, me të cilin do të pushtojë përgjithmonë Gazën.
Në mediat izraelite u raportua se në kuadër të planit, Izraeli ka krijuar “kampe përqendrimi” në jug të Rripit të Gazës, ku do të shpërndajë ndihmë të kufizuar humanitare pas dëbimit të palestinezëve. Nëpërmjet imazheve satelitore u zbulua se ushtria izraelite ishte përgatitur për këtë duke rrafshuar zona të mëdha në qytetin jugor Rafah.
Nën presionin e SHBA-së dhe vendeve evropiane, kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi të dielën në mbrëmje “lejimin e hyrjes së ushqimit bazë të mjaftueshëm për të parandaluar urinë” në Rripin e Gazës.