Një grua e re me emrin Hesla, e cila vajtoi për Gazën para Komisionit Evropian (KE) tha se donte të thyente heshtjen e padurueshme të administratës së Bashkimit Evropian (BE) kundër gjenocidit të Izraelit dhe për këtë arsye bërtiti pa dashje, raporton Anadolu.
Hesla në një prononcim për Anadolu, pas vajtimit të saj për Gazën me britma me zë të lartë përpara hyrjes së ndërtesës së KE-së në Bruksel tha: “BE-ja duke heshtur është bashkëpunëtore në gjenocid”.
Gruaja e re me origjinë marokene e lindur në Bruksel, tha se iu bashkua një grupi të përbërë nga personeli i BE-së që mblidhet çdo të enjte, për t’i parë ata duke protestuar para ndërtesës së KE-së dhe se dëshironte që ta vlerësonte këtë mundësi.
Britmë për Gazën para Komisionit Evropian
“Nuk e kisha planifikuar atë që bëra”, tha Hesla dhe vazhdoi më tej: “Isha atje me flamurin tim të vogël palestinez, me dosjen time (që thoshte ‘Netanyahu është në kërkim’). Por, mjedisi ishte shumë i qetë. Kishte vetëm disa njerëz dhe makina që kalonin. Nuk mendoja se ishte një vend mjaftueshëm i dukshëm për të treguar mbështetjen tonë për Gazën. Kështu që papritmas, edhe pse nuk kisha ndërmend ta bëja këtë, papritmas ndjeva një rebelim brenda meje”.
“I thashë vetes: ‘Por jo. Duhet t’ia japësh këtë mesazh KE-së’. Papritmas vendosa të shkoja në hyrje të KE-së dhe t’u drejtohesha njerëzve në fjalë. Shkova te dera dhe i thashë vetes: ‘Bëje këtë, jepe këtë mesazh’. Sepse në Gaza po ndodh masakër dhe njerëzit po vdesin urie. Fëmijët po vdesin urie. Ishte një britmë rebelimi që shpërtheu nga zemra ime. Na kërkohet të shtypim emocionet tona, të sillemi gjithmonë mirë, të jemi të sjellshëm, të mos ngremë zërin, të mos bërtasim. Por, aty pati një britmë nga zemra ime. Unë nuk jam aktore, nuk e kisha planifikuar këtë, ndodhi spontanisht dhe refuzova të shtypja atë që ishte brenda meje. Mesazhi duhej të përçohej dhe unë dëgjova zemrën time”, tha Hesla.
Heshtja e padurueshme
Duke theksuar se heshtja në administratën e BE-së dhe në disa vende evropiane ishte e padurueshme, Hesla tha: “Mendoj se kjo është arsyeja pse bërtita. Njerëzit janë kaq të qetë, mund të shihja shumë njerëz që dilnin (nga ndërtesa e KE-së) duke qeshur. Doja ta thyeja heshtjen e padurueshme”.
“Jam vërtet e zemëruar për gjenocidin që po ndodh në Gaza. Ndihem vërtet shumë keq”, u shpreh Hesla e cila shtoi se është përpjekur të bëjë gjithçka që mundet për të ndaluar gjenocidin duke marrë pjesë në protesta dhe duke u shkruar peticione politikanëve për muaj të tërë.
“Këtë mëngjes pashë përsëri foto të fëmijëve shumë të dobët në dhimbje të mëdha. Ka shumë jetimë që nuk kanë më prindër, askënd për t’u kujdesur, as shtëpi, asgjë. Kjo është arsyeja pse ata kanë nevojë për ne”, shtoi ajo.
Thirrje për sanksione
Hesla potencoi se dëshiron të jetë në anën e duhur të historisë. “Po u drejtohem atyre që kanë vlera njerëzore në institucionet evropiane, të gjithëve, por veçanërisht atyre që mund t’i ndalojnë këto gjenocide. Nga vendi im, Belgjika, dua të ndalojë dërgimi i armëve në këtë shtet gjenocidal të qeverisë Netanyahu. Ne e dimë shumë mirë se populli hebre nuk ka të bëjë fare me këtë, ne nuk i përziejmë të dyja. Për këtë arsye, po bëj thirrje të vendosen sanksione ekonomike ndaj qeverisë dhe të ndërpritet çdo bashkëpunim me qeverinë e ekstremit të djathtë të Netanyahut”, tha ajo.
Duke iu referuar vendosjes së shpejtë të sanksioneve nga BE-ja ndaj presidentit rus Vladimir Putin për sulmin e tij ndaj Ukrainës, Hesla deklaroi: “Ne e kemi parë hipokrizinë e Evropës. Ne e kemi parë gjithashtu hipokrizinë e botës arabe”.
Gruaja e re me origjinë marokene tha se ishte mirënjohëse ndaj politikanëve, burokratëve dhe aktivistëve në Evropë që ngrenë zërin e tyre për Gazën./TRTWorld/