Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Kaja Kallas, do të vizitojë Maqedoninë e Veriut të premten, më 23 maj 2025. Vizita është pjesë e turneut të saj tre-ditor në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit ajo do të riafirmojë angazhimin e BE-së ndaj rajonit dhe do të përcjellë mesazhe mbi politikën e jashtme dhe prioritetet e BE-së në fushën e sigurisë.

Gjatë vizitës së saj në Maqedoninë e Veriut, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe anëtarët e Qeverisë, pastaj do të vijojë një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin. Më vonë, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski dhe Ministrin e Mbrojtjes Vllado Misajllovski, znj. Kallas do të marrë pjesë në hapjen e Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Më tej, Përfaqësuesja e Lartë Kallas dhe Ministri i Mbrojtjes, Misajllovski, do të vizitojnë Task Forcën Mjekësore Ballkanike në Kazermat e Ilindenit, ku do të takohen me anëtarët e Organizatës së Përhershme të Task Forcës Mjekësore Ballkanike dhe do të shohin disa nga pajisjet e blera nga BMTF me mbështetjen e Fondit Europian të Paqes. Aty, Përfaqësuesja e Lartë Kallas dhe Ministri Misajllovski gjithashtu do t’u drejtohen mediave në lidhje me bashkëpunimin BE-Maqedoni e Veriut në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Që nga viti 2023, Këshilli ka miratuar tre paketa mbështetjeje dypalëshe në kuadër të Fondit Europian të Paqes (EPF) për të forcuar kapacitetet e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut. Me një shumë prej gjithsej 38 milionë eurosh, EPF aktualisht po i siguron Maqedonisë së Veriut pajisje ushtarake dhe trajnime në fushën e logjistikës, inxhinierisë, ISR (Inteligjencës, Mbikëqyrjes dhe Zbulimit) dhe luftës elektronike, lëvizshmërisë, sistemeve të komunikimit dhe informacionit, pajisjeve mjekësore dhe të trajnimit.

Maqedonia e Veriut gjithashtu përfiton nga mbështetja e EPF-së në kuadër të një mase ndihme rajonale për Task Forcën Mjekësore Ballkanike, në shumën prej 6 milionë eurosh për sigurimin e pajisjeve mjekësore dhe spitaleve në terren.

Vizita e Përfaqësueses së Lartë Kallas do të përfundojë në Europe House, ku ajo do të zhvillojë një diskutim me një grup të rinjsh.

Ju njoftojmë se ftesat për median do të vijojnë nga institucionet përkatëse që do të mbulojnë segmentet e ndryshme të programit.

Për më shumë informacion në lidhje me këtë njoftim për shtyp, ju lutemi kontaktoni Eleonora Poposka, Zyrtare për Shtyp dhe Informacion, në [email protected] ose në 3248 500.