Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, komentoi një foto nga Moska që po shpërndahet në rrjetet sociale, ku shihet se ai është ulur në rreshtin e dytë, duke thënë se bëhet fjalë për një fotografi nga një koncert dhe se ata ishin ulur sipas rendit alfabetik.

“U hodha mënjanë? Ja, shihni si kam qenë hedhur mënjanë. Sot presidenti (i Rusisë, Vladimir) Putin pati dy takime bilaterale, një me Lulën de Silvën, një vend me 200 milionë banorë – Brazilin, pati një takim me Egjiptin, një vend me 110 milionë banorë dhe me Serbinë e fuqishme dhe të fortë me 6.5 milionë banorë, ja sa shumë kemi qenë të hedhur mënjanë”, deklaroi ai.

“Xi Jinping kishte disa takime bilaterale, dhe sa pashë, më duket se ai qëndroi më gjatë me ne. Nuk doja ta shqetësoja presidentin kinez, por ai më ndaloi vetë dhe kërkoi që të ecim së bashku deri te skena, te monumenti i Heroit të Panjohur dhe te qytetet heronj nga periudha sovjetike”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se në koncertin e përmendur ata ishin ulur sipas rendit alfabetik, dhe prandaj ai ishte ulur ndërmjet Palestinës dhe Sllovakisë, shkruan N1.

“Keni presidentin Xi që gjithmonë është ulur pranë Putinit, që është normale dhe e zakonshme. Në koncert janë ulur shtetet e ish-SSR-së rreth tyre, ndërsa ne të tjerët ishim të vendosur sipas rendit alfabetik, kështu që unë gjithmonë kam qenë ndërmjet Palestinës dhe Sllovakisë. Kështu që kam qenë pranë (kryeministrit të Sllovakisë, Robert) Fico në atë vend, dhe kështu kam qenë pranë Ficos te monumenti i Heroit të Panjohur, sepse Serbia dhe Sllovakia janë njëra pranë tjetrës,” tha presidenti i Serbisë.

Ai gjithashtu theksoi se “nuk e kujton që Serbia ka qenë kaq e nderuar” dhe se ndaj saj është shprehur “kaq mikpritje”.

“Faleminderit presidentit Putin, dhe gjithashtu presidentit Xi”, tha Vuçiq.

Ndryshe, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte një takim bilateral dje me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe më 7 maj pati takime me presidentët e Venezuelës, Kongos, Mongolisë dhe Kubës.