Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi sot Moskën për cinizëm, duke vënë në dukje se sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë me egërsi të pamëshirshme përpara një armëpushimi të shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kremlini për 8-10 maj.
“Rusët po bëjnë thirrje për armëpushim më 9 maj, ndërsa ata vetë po sulmojnë Ukrainën çdo ditë. Ky është cinizmi përfundimtar”, shkroi Zelensky në Telegram. Ai tha se ushtria ruse sulmoi Ukrainën me 1,180 dronë dhe 1,360 bomba ajrore të drejtuara brenda një jave.
Putini e hedh poshtë propozimin e Ukrainës
Vetëm mbrëmë, 165 dronë sulmuan Kievin, Kharkivin, Cherkasy-n dhe Mykolaiv-in, tha Zelensky, dhe rajonet e Donetskut dhe Sumit kanë qenë nën bombardime të rënda ajrore që nga mëngjesi i së dielës.
Zelensky përsëriti se Ukraina është e hapur për një armëpushim, por një armëpushim që nuk do të zbatohej vetëm për festimet ruse.
Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur në mënyrë të njëanshme një armëpushim 72-orësh për të shënuar festimet e Ditës së Fitores në Moskë të premten, më 9 maj, e cila shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Moska e hodhi poshtë propozimin e Kievit për ta zgjatur armëpushimin në 30 ditë dhe për ta bërë atë të plotë.