Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të angazhohet në çdo format negociatash për t’i dhënë fund agresionit rus, duke përfshirë edhe një takim të mundshëm trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Në një takim të mbyllur me gazetarët, Zelensky theksoi se vendi i tij është i gatshëm për dialog në nivel teknik dhe politik, dhe nuk përjashtoi asnjë opsion për formën apo përbërjen e bisedimeve. “Ne jemi të gatshëm për formatin Trump-Putin-unë, ose për takime të ndara: Trump-Putin, Trump-Zelensky dhe pastaj të tre së bashku. Nuk është çështje kohe apo vendi, gjëja kryesore është përmbajtja,” deklaroi ai.

Zelensky shtoi se si pala amerikane ashtu edhe ajo ruse janë të informuara për gatishmërinë e Ukrainës për një dialog të tillë, ndërsa përmendi Vatikanin dhe Zvicrën si vende të mundshme për zhvillimin e takimeve.

Në varësi të temës së diskutimit, presidenti ukrainas vuri në dukje se aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë duhet të përfshihen në proces. “Nëse tema është një armëpushim, Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihe, janë një palë që ne i besojmë për monitorim dhe zbatim. Nëse bëhet fjalë për garanci sigurie, evropianët duhet të jenë pjesë e bisedimeve, ata na mbështesin me armë dhe financim,” tha ai.

Për çështje si anëtarësimi në BE apo garancitë ekonomike, Zelensky theksoi se diskutimi me Kremlinin është i panevojshëm, pasi këto vendime varen ekskluzivisht nga Bashkimi Evropian.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Ukraina është në pritje të një propozimi zyrtar nga Rusia, një “memorandum” që përshkruan vizionin rus për hapat e ardhshëm në negociatat e mundshme të armëpushimit dhe për një samit në nivel udhëheqësish.

“Ne kemi mbështetur një armëpushim pa kushte dhe kalimin në diplomaci në një format apo në një tjetër,” theksoi Zelensky, duke shtuar se Ukraina është e gatshme të angazhohet në dialog “në çdo format, në çdo përbërje dhe pothuajse kudo në botën e civilizuar”.

Ai kujtoi gjithashtu bisedimet e fundit në Stamboll mes ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov, dhe përfaqësuesit rus Vladimir Medinsky, ku u arrit marrëveshja për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve. Megjithatë, sipas tij, Rusia nuk ishte ende gati të diskutojë për një armëpushim. “Ata thanë se do të na ktheheshin me sinjale të caktuara,” sqaroi presidenti ukrainas, duke shtuar se mesazhe të ngjashme janë marrë edhe përmes SHBA-së dhe janë konfirmuar nga pala turke.