Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është gati të vijë personalisht në Stamboll të enjten për një takim me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar përfundimin e luftës.
Njoftimi i tij erdhi menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërkoi Ukrainës të binte dakord me ofertën e Putinit për bisedime të drejtpërdrejta midis dy vendeve në Turqi.
Një kthesë në qëndrimin e Ukrainës
“Nuk ka kuptim që vrasjet të vazhdojnë. Dhe unë do ta pres Putinin në Turqi të enjten. Personalisht”, shkroi Zelensky.
Ai më parë tha se Ukraina është e hapur për negociata me Rusinë, por vetëm pasi të hyjë në fuqi një armëpushim.
Fuqitë perëndimore kanë bërë thirrje për një armëpushim 30-ditor, i cili do të fillojë të hënën, pas një takimi të udhëheqësve evropianë në Kiev, të cilët udhëheqin të ashtuquajturin… “koalicion i të vullnetshëmve”. Oferta e Putinit për negociata të drejtpërdrejta erdhi pas atij takimi.
Mbështetja e Trump për negociata të drejtpërdrejta
Trump njoftoi në rrjetet sociale këtë pasdite se Ukraina duhet “të bjerë menjëherë dakord” për këto negociata, sepse kjo do të tregonte nëse ka ndonjë mënyrë për t’i dhënë fund luftës.
“Të paktën ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë nëse një marrëveshje është e mundur. Dhe nëse jo, udhëheqësit evropianë dhe SHBA-të do ta dinë se ku qëndrojnë dhe do të jenë në gjendje të veprojnë në përputhje me rrethanat”, tha Trump.
Ai shkroi se dyshon nëse një marrëveshje me Putinin është e mundur, por në të njëjtën kohë tha: “MBAJENI ATË TAKIM, TANI!!!”