Pas muajsh trazirash politike, zgjedhjeve të anuluara dhe ndalimit të kandidatit kryesor ultranacionalist, Rumania më në fund ka zgjedhur një president të ri — një zhvillim që i ka dhënë lehtësim Brukselit, shkruan REL.
Kryetari centrist i Bukureshtit, pro Bashkimit Evropian dhe pro Ukrainës, Nicusor Dan, tani hyn në skenën ndërkombëtare, ndërsa pranë kufijve të Rumanisë vazhdon lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Rumania kishte një zgjedhje të qartë në këto zgjedhje: të vazhdonte kursin properëndimor apo të rrëshqiste drejt ultranacionalizmit dhe mbështetjes për Rusinë. Me zgjedhjen e Nicusor Danit, rumunët zgjodhën vazhdimësinë properëndimore”, tha Oana Lungescu, eksperte në Institutin Mbretëror për Shërbimet e Bashkuara (RUSI) në Mbretërinë e Bashkuar dhe ish-zëdhënëse e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
“Do të ketë një frymë lehtësimi si në BE, ashtu edhe në NATO, ku Rumania është një anëtare e qëndrueshme prej dekadash. Ajo ka një pozicion strategjik të rëndësishëm”, shtoi Lungescu.
Zgjedhja e Danit më 18 maj është e jashtëzakonshme për disa arsye. Ai fitoi rreth 54 për qind të votave, duke mposhtur kandidatin ultranacionalist 38-vjeçar George Simion në balotazh. Ai nuk mori pjesë fare në rundin e parë të zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, kur kishte nisur mandatin e dytë si kryebashkiak i Bukureshtit.
Por, pasi ato zgjedhje u anuluan mes akuzave për ndërhyrje ruse, Dan vendosi të garojë në përsëritjen e tyre në maj.
“Jemi në një moment ekuilibri, më të vështirin që nga viti 1989”, tha ai, duke iu referuar vitit të përmbysjes së regjimit komunist në Rumani.
Po aq e habitshme është edhe mënyra si ai arriti të përmbysë rezultatin. Në rundin e parë, ishte vetëm pak përqind para kandidatit të tretë, Crin Antonescu, dhe rreth 20 për qind prapa Simionit. Megjithatë, arriti të mbyllë hendekun dhe ta mposhtë atë.
Tani, Dan përballet me sfidën e madhe për të qetësuar tensionet politike në një vend thellësisht të polarizuar. Ai garoi si i pavarur, duke mposhtur si kandidatët e koalicionit qeverisës, ashtu edhe të opozitës, që mbështetën Simionin. Kjo mund ta ndihmojë të paraqitet si figurë unifikuese, por gjithashtu e detyron të ndërtojë një bazë mbështetjeje në parlament.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për njërën nga detyrat e para të tij: emërimin e një kryeministri të ri që mund të sigurojë shumicën.
“Nuk është e lehtë, është e komplikuar, sepse parlamenti është shumë i fragmentuar”, tha analisti Sergiu Miscoiu nga Fakulteti i Studimeve Evropiane në Universitetin e Clujit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti në Rumani ka një rol gjysmë ekzekutiv, me përgjegjësi të rëndësishme në politikën e jashtme, përfshirë pjesëmarrjen në samite ndërkombëtare dhe ushtrimin e vetos në BE.
Dan ka deklaruar se dëshiron marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara, ruajtjen e një qëndrimi të qëndrueshëm pro BE-së dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.
Zgjedhja e tij është pritur me pozitivitet në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera evropiane, ku Dan shihet si një aleat natyral dhe i besueshëm. Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri polak, Donald Tusk, madje shprehën publikisht mbështetjen për Danin vetëm dy ditë para zgjedhjeve.
Pas fitores, të dy liderët e përgëzuan menjëherë Danin.
“Pavarësisht përpjekjeve të shumta për manipulim, rumunët zgjodhën demokracinë, sundimin e ligjit dhe Bashkimin Evropian”, deklaroi Macron, i cili tha se kishte folur në telefon me Danin pas publikimit të rezultateve.
Administrata Trump, në kontrast, ka qenë shumë kritike ndaj vendimit për të anuluar zgjedhjet e vitit të kaluar — gjë që ka gëzuar mbështetësit e Simionit.
Dan ka shprehur mbështetje të palëkundur për NATO-n dhe synon të ruajë mbështetjen e Uashingtonit, veçanërisht duke marrë parasysh që Shtetet e Bashkuara kanë një bazë raketore anti-balistikë dhe rreth 1.700 trupa të vendosur në Rumani.
Mes zërave për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Evropa, kjo mund të jetë një sfidë tjetër për presidentin e ri rumun.
“Çdo president që zgjidhet mbi një platformë pro-evropiane do të kishte disa probleme me administratën Trump. Por Nicusor Dan nuk është aspak një majtist”, tha Miscoiu.
“Është, le të themi, një konservator i moderuar. Kjo mund ta ndihmojë atë në dialog me Shtëpinë e Bardhë”, shtoi ai.