Pas përfundimit të procesit të votimit në të gjithë Shqipërinë, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi doli në një deklaratë për mediat ku vlerësoi mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve, duke theksuar se “procesi është zhvilluar në përputhje me standardet dhe rregullat e përcaktuara.”

Sipas Celibashit, problematikat e raportuara kanë qenë sporadike dhe janë adresuar menjëherë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai përmendi se disa vështirësi u hasën në orët e para të mëngjesit, përfshirë mungesën e komisionerëve në disa qendra votimi, por sipas tij këto janë tejkaluar pa ndikuar në integritetin e procesit.

“Votimi elektronik ka funksionuar mirë, me përjashtim të katër rasteve që janë nën shqyrtim,” tha ai. Celibashi konfirmoi se rezultati i votimit elektronik në Bashkinë Vorë dhe në njësinë nr. 10 në Tiranë do të shpallet paraditen e së martës, ndërsa rezultatet paraprake për të gjithë vendin priten jo më vonë se pasditja e së njëjtës ditë.

“Proces i vështirë, ndaj është me rëndësi që të ketë qetësi dhe mbarëvajtje nga të gjitha palët. Kemi krijuar të gjithë infrastrukturën që ky proces të monitorohen dhe vëzhgohet. Besoj që nëse të gjithë do të bëjnë atë që ligji ka përcaktuar, ne do të kemi rezultatin paraprak brenda afatit të përcaktuar në kodin zgjedhor. Jo më vonë se pasditja e së martës.”