Gjashtë dëshmorë të Vrellës së Istogut u eks-humuan nga varret ku pushuan mbi dy dekada.

Madje, për zhvarrimin e njërit prej tyre u desh edhe ndihma e FSK-së meqë ishte varrosur me municion.

Mbetjet e tyre mortore u dërguan në morg derisa të vendoset data e rivarrimit në kompleksin memorial.

“Fillimisht shkojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pastaj e caktojmë një datë të ndërmarrë në koordinim me familjet, me FSK, e me shtet qysh i ka hije, në mënyrën më dinjitetshme të mundshme me i respektu dëshmorët qysh i ka hije”, deklaroi një familjar për Klan Kosovën.

Krejt ky proces zhvarrimi, që nisi në Vrellë po bëhet që 47 të rënët e komunës së Istogut të prehen në një vend.

E hapja e varreve të reja në kompleksin memorial nuk ishte e lehtë për familjarët

“Edhe kemi pakëz një dhimbje, por kemi më shumë krenari”, shtoi njëri prej tyre.

“Nuk është e lehtë, është njëfarë mërzie, mirëpo më shumë e kam fuqinë, e kam pasë fuqinë me vendos dhe me i çu në kompleks atje”.

Rivarrimi i trimave të Vrellës pritet të bëhet më njëzet qershor, ndërsa homazhet do bëhen çdo dymbëdhjetë prill në ditën e dëshmorëve të Istogut.