Në masakrën e sotme në një shkollë në Graz humbi jetën 15-vjeçarja Lea Bajrami, e lindur në qytetin e Vitisë, Kosovë.
Lajmin e konfirmoi kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
“Familje e dashur Bajrami, jam thellësisht i tronditur nga lajmi për humbjen tragjike të vajzës suaj, Leas, nga komuna jonë, e cila humbi jetën në një sulm të rëndë që ndodhi sot në qytetin e Grazit, Austri. Ky akt i rëndë na ka prekur thellësisht të gjithëve. Humbja e një jetë të re është një plagë që lë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e secilit prej nesh.
Në emrin tim dhe të Komunës së Vitisë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella. Jemi me ju në këtë moment të vështirë dhe lutemi që Zoti t’ju japë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë mes nesh”, shkroi Haliti në Facebook dhe ndau një fotografi të Leas nga fëmijëria.
“Po ashtu, shpreh ngushëllimet e mia për mikeshën time, kryetaren e qytetit Graz, Elke Kahr. Në emër të komunës së Vitisë dhe qytetarëve tanë, shpreh ngushëllimet më të thella për ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin tuaj, ku për fat të keq një vajzë e re nga komuna jonë humbi jetën bashkë me edhe nëntë persona të tjerë.
Jemi të vetëdijshëm për sfidat që sjell një akt i tillë dhune dhe ndajmë me ju dhe qytetarët e Grazit dhimbjen për këtë tragjedi. E vlerësojmë reagimin institucional dhe përkushtimin tuaj për sigurinë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht prejardhjes”, shtoi ai.
Më herët sot u raportua se në mesin e të vrarëve janë edhe dy të rinj me prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina – një nxënëse 17-vjeçare me inicialet K.J. dhe një vajzë me inicialet H.A.