Universiteti i Tetovës i laureoi me titullin Doctor Honoris Causa Joseph J. DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin

Me një Akademi solemne, në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” të Universitetit të
Tetovës, në praninë e studentëve, profesorëve dhe dhjetëra personaliteteve të njohura, më 13
qershor 2025, janë laureuar me titullin Doctor Honoris Causa, z. Joseph J. DioGuardi dhe znj.
Shirley Cloyes DioGuardi, dy personalitete të rëndësishme që punuan pareshtur dhe me përkushtim
të pashoq për lirinë dhe demokratizimin e rajonit tonë. Dy zëra të fuqishëm dhe mbrojtës të
palodhur të të drejtave të shqiptarëve, qoftë në Kongresin Amerikan, qoftë nëpër forume të
ndryshme ndërkombëtare, pikërisht në periudhat më të vështira për popullin shqiptar.
Në këtë ceremoni zyrtare, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se Joseph DioGuardi zë vend nderi
edhe në historinë e Universitetit të Tetovës, ai e mbështeti dhe e afirmoi ndërkombëtarisht këtë
institucion të dijes, shkencës dhe kulturës, pikërisht në kohën kur goditej me instrumentet e dhunës
nga një strukturë qeveritare jodemokratike dhe anakronike.
“Historia e Universitetit tonë është e lidhur ngushtë me emrin e z. DioGuardi. Sa herë do të flitet e
do të shkruhet për Universitetin e Tetovës, do të përmendet me respekt e admirim emri dhe
kontributi i z. DioGuardi. Stafi drejtues, profesorët dhe studentët i janë mirënjohës për mbështetjen
që i dha Universitetit tonë. Me të njëjtin respekt dhe nderim do të përmendet edhe znj. Shirley
Cloyes DioGuardi – eksperte për politikën e brendshme dhe ndërkombëtare amerikane, e cila
shërbeu si këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Zonja
Shirley Cloyes DioGuardi nëpërmjet artikujve të thelluar mbi problemet e rajonit tonë dha kontribut
të çmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe
demokratizimit të shoqërive të rajonit. Me përkushtimin dhe dijen e thellë, ajo arriti ta paraqiste
pamjen reale të asaj që ndodhte gjatë luftës së Kosovës.”- theksoi Rektori i UT-së.
Ai po ashtu nënvijëzoi se kjo ngjarje e rëndësishme për institucionin tonë, njëherësh është edhe
shprehje e mirënjohjes sonë të thellë për vetë SHBA-në, ku i kemi gjetur miqtë më të sinqertë.
Në këtë Akademi solemne, pjesëmarrësve në amfiteatër me fjalë rasti iu drejtua edhe Prof. Dr.
Lulzim Aliu, Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. “Në
këtë tempull dijesh dhe vlerash kombëtare, ne sot nuk po nderojmë vetëm një emër të njohur të
politikës amerikane, por një njeri me zemër të madhe, që për dekada të tëra e ka lidhur fatin e tij me
fatin e popullit shqiptar. Në historinë tonë të përbashkët, ka figura që dalin përtej roleve zyrtare,
përtej detyrës dhe mandatit. Joe DioGuardi është një prej tyre. Si ish-Kongresist amerikan, ai nuk e
kufizoi angazhimin e tij në sallat e Kongresit – përkundrazi, ai u dha zë atyre që nuk kishin zë. Ai i
tregoi botës vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë, kur shumë të tjerë
heshtnin. Në një kohë kur padrejtësia mbulonte të vërtetën, zëri i tij në Kongres u bë zëri ynë. Ai
nuk foli vetëm si politikan, por si njeri me ndërgjegje. Ai nuk luftoi vetëm për të drejtat tona, por
për dinjitetin tonë si popull. Me përkushtimin e tij, ai ngriti çështjen shqiptare në arenën
ndërkombëtare, ndihmoi në ndërgjegjësimin global për krimet dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe
dha një kontribut të çmuar në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Joe
DioGuardi është dëshmi se miqësia nuk ka kufij kombëtarë, por lidhet me vlerat, drejtësinë dhe
humanizmin. Për ne, ai nuk është vetëm një mik i shqiptarëve – ai është një bir i nderuar i kauzës
sonë.” – tha ndër të tjera Prof. Dr. Lulzim Aliu.
Njësia për protokoll dhe marrëdhënie me opinionin-Одделение за протокол и односи со јавноста-
Department for protocol and Press office
Str. Ilinden nn. 1200 Tetova, Republic of North Macedonia
www.unite.edu.mk – e-mail: [email protected]
Referatet për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa për Joseph J. DioGuardin dhe Shirley Cloyes
DioGuardin i paraqiti kryetari i Komisionit recensues Prof. Dr. Vullnet Ameti.
“Drejtuesit e Universitetit të Tetovës shprehin respekt të veçantë për personalitetet me ndikim të
madh në rrjedhat ndërkombëtare, që dhanë kontribut të madh edhe për themelimin dhe afirmimin
ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës. Në mesin e personaliteteve të shquar, që i dhanë përkrahje
universitetit tonë nga dita e parë e themelimit, është edhe mendimtari, veprimtari dhe ish-
kongresmeni amerikan z. Joseph J. DioGuardi, i cili është propozuar për dhënien e titullit Doctor
Honoris Causa të Universitetit të Tetovës. Po ashtu ne drejtuesit e këtij institucioni gjithmonë kemi
shprehur respekt dhe nderim për z. Shirley Cloyes DioGuardi, një personalitet me shumë ndikim në
rrjedhat ndërkombëtare. Ne si komision e vlerësojmë punën publike, studimore, shoqërore dhe
publicistike të zonjës Shirley Cloyes DioGuardi dhe jemi të bindur se ajo e meriton nderimin më të
lartë të Universitetit të Tetovës.” – deklaroi kryetari i Komisionit të sipërthënë, njeherazi Prorektori
për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili njëkohësisht prezantoi të dhëna të hollësishme nga jeta
dhe veprimtaria e z. Joseph J. DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit.
“Joseph John DioGuardi, një personalitet i vlerësuar dhe me ndikim në politikën e jashtme
amerikane, që e përkrahu themelimin e Universitetit të Tetovës në ditët më të vështira, lindi më 20
shtator 1940. Ai është kontabilist publik i certifikuar dhe politikan republikan. Shërbeu në Dhomën
e Përfaqësuesve si përfaqësues i distriktit 20 të Kongresit të Nju-Jorkut në vitet 1985 – 1989. Ishte
anëtari i parë shqiptaro – amerikan i Kongresit. Gjithashtu ishte edhe kandidati republikan për
Senatin e SHBA-së në Nju-Jork gjatë zgjedhjeve speciale të vitit 2010. Babai i DioGuardit, Joseph
Sr., emigroi në Shtetet e Bashkuara nga Greci i Italisë. Joseph Sr. ishte me origjinë arbëreshe.
Paraardhësit e tij emigruan në Itali disa shekuj më parë. DioGuardi u diplomua në Universitetin
Fordham në 1962. Ai ka specializuar në sferën e tatimeve federale dhe shtetërore për organizatat
jofitimprurëse, si dhe në ekonominë tatimore të dhënies së bamirësisë. DioGuardi ishte partner në
Arthur Andersen & Co. dhe president i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë që e
drejtoi bashkë me gruan e tij, Shirley Cloyes DioGuardi. Emri i tij lidhet ngushtë me historinë e
themelimit të Universitetit të Tetovës. Ai i dha mbështetje të fuqishme Universitetit të Tetovës në
kohën kur pushteti maqedonas i përdori të gjitha mekanizmat e dhunës për ta shuar veprimtarinë e
këtij institucioni, duke i burgosur intelektualët, mësimdhënësit dhe arsimdashësit me synimin që të
pengonte arsimimin e gjeneratave të reja në gjuhën shqipe.” – deklaroi Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërsa për znj. Shirley Cloyes DioGuardi, veçoi: “Zonja Shirley Cloyes DioGuardi është
specializuar për politikën e brendshme amerikane dhe për politikën ndërkombëtare. Ajo ka
diplomuar për sociologji në Kolegjin Oberlin dhe ka master për teologji dhe kulturë në Union
Theological Seminary. Është është analiste e shquar për politikën e jashtme, veçanërisht për
konfliktin në Ballkan. Nga viti 1995 ajo punoi si këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen
Qytetare Shqiptaro – Amerikane.
Zonja Shirley Cloyes DioGuardi ka botuar shumë artikuj për problemet e Ballkanit dhe ka afirmuar
shqetësimet dhe interesat e popullit shqiptar. Ka kontribuar në politikën e jashtme amerikane për
paqen dhe stabilitetin në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Zonja Shirley
Cloyes DioGuardi gjatë luftës së Kosovës ka qenë komentatore në radio dhe TV dhe ka kontribuuar
në ngritjen e aktakuzës që çoi në ekstradimin e Slobodan Millosheviqit në Gjykatën e Krimeve të
Luftës në Hagë. Gjithashtu është edhe ideatore e projektit “Besa”. Ky projekt ndërkombëtar e
dokumentoi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e çdo hebreu që jetonte në Shqipëri ose atje kërkonte
azil gjatë Holokaustit nazist”.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Prof. Dr. Vullnet Ameti e elaboroi edhe arsyetimi i dhënies së titullit
Doctor Honoris Causa të Universitetit të Tetovës për laureatët e lartpërmendur.
“Z. Joseph John DioGuardi, si veprimtar politik dhe shoqëror, ka dhënë kontribut të
jashtëzakonshëm për demokratizimin e rajonit të Ballkanit dhe vendeve të tjera në botë. Ai me dije
të thella, me urtësi dhe qytetari i ka afirmuar vlerat e demokracisë, lirisë, paqes dhe ka punuar
përherë për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Veprimtaria jetësore, shoqërore dhe
politike e ish-Kongresmenit amerikan Joseph J. DioGuardi është e lidhur ngushtë me çështjen
shqiptare, në përgjithësi, por edhe me historinë e themelimit të Universitetit të Tetovës, në veçanti.
Z. DioGuardi, si personalitetet me ndikim në politikën ndërkombëtare, e përkrahu që në fillim
themelimin e universitetit tonë. Me praninë e tij në kohërat më të vështira për Universitetin e
Tetovës, ai ia përcolli sinjalin qeverisë së atëhershme se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk
ishin të vetmuar në përpjekjet e tyre për të pasur institucione arsimore, shkencore dhe kulturore. Ai
ishte ndër personalitetet e para dhe me ndikim ndërkombëtar që e sfidoi politikën e dhunës kundër
Universitetit të Tetovës dhe bëri të ditur se ky universitet e kishte përkrahjen e parezervë të Lidhjes
Qytetare Shqiptaro – Amerikane. Për ne si Komision vlerësues ka qenë privilegj që ta mbështesim
fuqimisht shpalljen e Shirley Cloyes DioGuardi, Doktor Nderi – Doctor Honoris Causa të
Universitetit të Tetovës, sepse, kështu, mbarë komunitetit akademik dhe opinionit publik ia
përcjellim mesazhin fisnik se Universiteti i Tetovës i çmon personalitetet që kanë dhënë kontribut të
çmuar për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe për Universitetin e Tetovës, në veçanti. Shirley
Cloyes DioGuardi ka kontribuar si eksperte në politikën e jashtme amerikane dhe për paqen e
stabilitetin në Ballkan. Ne e vlerësojmë lart punën e palodhshme dhe përkushtimin e përhershëm të
veprimtares z. Shirley Cloyes DioGuardi për paqen, stabilitetin dhe demokratizimin e rajonit të
Ballkanit, afirmimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare dhe kontributin e saj për afirmimin në plan
ndërkombëtar të vlerave, traditave dhe shpirtin solidar të shqiptarëve.” – deklaroi Prof. Dr. Vullnet
Ameti – kryetari i Komisionit recensues.
Në përputhje me procedurën e ndarjes së titujve Doctor Honoris Causa, vendimet përkatëse i lexoi
Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kenan Ferati.
“Ky titull, z. Joseph J. DioGuardit i jepet për mbështetjen e palëkundur ndaj Universitetit të Tetovës
që nga themelimi i tij, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të
të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, si dhe për kontributin jetësor në ndërkombëtarizimin e
çështjes arsimore dhe kulturore shqiptare. Ndërsa znj. Shirley Cloyes DioGuardi, titulli Doctor
Honoris Causa i jepet për kontributin e palodhur në afirmimin ndërkombëtar të çështjes shqiptare,
për rolin e rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në
Ballkan, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Universitetit të Tetovës dhe vlerave demokratike
që ai përfaqëson.”- deklaroi, Prof. Dr. Kenan Ferati.
Ish-kongresmeni amerikan dhe aktivisti i të drejtave të shqiptarëve, Joseph J. DioGuardi, përgëzoi
Universitetin e Tetovës për organizimin madhështor të ceremonisë, duke theksuar rolin jetik të
edukimit në forcimin e një kombi. Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një kombi të fuqishëm
shqiptar që nga Kosova e deri në të gjitha trevat shqiptare. Në fjalën e tij, DioGuardi kujtoi
angazhimin e tij personal në Kongresin Amerikan për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve,
veçanërisht në Maqedoni dhe Kosovë. Ai përmendi bashkëpunimin me kongresmenët Tom Lantos
dhe Ben Gilman dhe ndikimin e thellë të babait të tij shqiptar, që i la amanet ta përdorte zërin në
shërbim të shqiptarëve. DioGuardi theksoi gjithashtu rëndësinë e investimit në arsimimin e brezave
të rinj dhe nevojën për humanizëm dhe përkushtim ndaj komunitetit.
Kurse bashkëshortja e DioGuardit, Shirley Cloyes DioGuardi, shprehu mirënjohje për drejtuesit e
Universitetit të Tetovës, duke kujtuar rrugën e vështirë drejt themelimit dhe njohjes së tij si
universiteti i parë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Ajo përmendi kontributin vendimtar të figurave si
Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Abdulla Mehmeti, Murtezan Ismaili dhe të tjerëve. Shirley kujtoi sulmin
brutal të vitit 1995 nga autoritetet maqedonase ndaj Universitetit dhe rolin e tyre në mobilizimin
ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Ajo theksoi se Universiteti i Tetovës
mbetet një simbol i barazisë dhe përfshirjes, dhe se progresi i arritur që nga vitet ‘90 është rezultat i
një lëvizjeje të përbashkët për dinjitet dhe drejtësi. Akademia solemne u përmbyll me një program
artistik mbresëlënës, i cili solli në skenë harmoninë e artit dhe shpirtit akademik. Programi u
realizua nga profesorët, Kastriot Tusha, Bajramali Idrizi, Premtim Etemi, si dhe Kori i Universitetit
të Tetovës.