Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë viktimat më të mëdha të një sistemi administrativ të kapur nga interesat politike dhe grupet klienteliste. Në letër, barazia ekziston, por në praktikë, realiteti është i hidhur: shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Me ndryshimin e pushtetit lind një pyetje thelbësore: A do të kemi një reformë të thellë të administratës publike apo thjesht një ndërrim fytyrash me të njëjtën mendësi të vjetër?

Sot administrata nuk funksionon si një mekanizëm shërbimi ndaj qytetarëve, por si një bunker militantësh, ku vlera nuk ka aftësia por lidhja me partinë dhe lojaliteti ndaj shefave politikë. Punësimet shpesh bëhen përmes ryshfetit, ndërsa qytetarët e ndershëm përbuzën dhe sorollaten nëpër zyra sikur të ishin skllevër në vendin e tyre.

Administrata si plaçkë lufte politike

Administrata është kthyer në një plaçkë lufte që ndahet mes militantëve të partive sapo ndryshon qeveria. Ky mentalitet grabitës ka shkatërruar jo vetëm efikasitetin institucional por edhe shpresën qytetare për drejtësi dhe barazi.

Shqiptarët – të mashtruarit e përhershëm

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe ekziston në letër por nuk zbatohet në praktikë. Institucionet vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë diskriminuese duke i detyruar shqiptarët të përdorin maqedonishten për shërbime bazike. Ky bllokim i qëllimshëm është pasojë e një strukture të kalbur që refuzon barazinë reale.
Analisti Qani Shabani thekson: Kjo gjendje është rezultat i mungesës së vullnetit politik për zbatim të ligjit dhe trajtim të drejtë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Punësimet duhet të jenë transparente dhe të bazuara në meritë, jo në lidhje partiake.

Shkarkimi i funksionarëve të paaftë dhe të korruptuar. Administrata nuk mund të jetë strehë për abuzuesit politikë.

Zbatimi i plotë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe. Institucionet që nuk respektojnë këtë ligj duhet të përballen me sanksione ligjore.

Digitalizimi total i shërbimeve publike. Për të reduktuar kontaktin mes qytetarit dhe burokratit dhe për të ulur korrupsionin.

Përfaqësim real i shqiptarëve në administratë. Jo më me shifra të falsifikuara apo statistika të manipuluara.

Nëse qeveria nuk e ndan vendosmërinë për të reformuar realisht këtë sistem të kalbur atëherë ky shtet rrezikon të mbetet një karikaturë institucionale që ekziston vetëm për të mbajtur në këmbë interesat e klaneve të vjetra politike.

Nëse nuk ndodh ndryshimi i thellë atëherë qytetarët sidomos shqiptarët duhet të reagojnë të organizohen dhe të kërkojnë me zë të lartë atë që u takon me ligj me dinjitet dhe me të drejtë.