Bregu i Liqenit të Dibrës, i cili prej kohësh ishte i mbuluar nga mbeturina plastike, u pastrua në pjesën më të madhe të tij falë një aksioni masiv ekologjik. Pastrimi u përqendrua kryesisht në zonat ku ndodhen restorantet, si dhe në pjesët e frekuentuara nga qytetarët për rekreacion, veçanërisht në plazhet verore. Nisma u organizua nga grupi i ekologjistëve pranë Shoqatës së Peshkatarëve Sportivë “Trofta”, dhe gjeti përkrahje të gjerë nga shoqata ekologjike, organizata qytetare, ndërmarrja komunale “Standardi”, kompani lokale, shkolla si dhe pushteti vendor. Organizatorët siguruan të gjitha materialet e nevojshme për pjesëmarrësit: doreza, qese plastike të zeza, bluza me mbishkrimin “Për një liqe të pastër” dhe pije freskuese.

Ky ishte aksioni i parë ekologjik i këtij viti, dhe u karakterizua nga një pjesëmarrje e jashtëzakonshme. Aktiviteti zgjati disa orë dhe përfshiu qytetarë të moshave të ndryshme – nga fëmijët 7-vjeçar deri te të moshuarit 77-vjeçar. Vullnetarët pastruan jo vetëm bregun, por edhe brendësinë e liqenit, duke përdorur barka për të grumbulluar qindra qese mbeturinash plastike.

Çdo pranverë, Lumi Radika sjell në liqen mbeturina plastike nga deponitë e egra të zonës së Rekës së Poshtme, duke shkaktuar ndotje të madhe ekologjike. Falë ndërhyrjeve të këtilla, liqeni pastrohet dhe bëhet i përshtatshëm për rekreacion gjatë muajve të verës.

Shkëlzen Çanka nga Shoqata “Trofta” u shpreh i kënaqur me masivitetin e aksionit dhe tha se kishte ftuar edhe institucione lokale e shoqata të tjera, të cilat iu përgjigjën pozitivisht.

Nertil Osmani nga Shoqata “Drita” theksoi se anëtarët e tyre morën pjesë aktive në aksion, duke shtuar se “duam një liqe të pastër” dhe se “nuk duhet të lejohet ndotja e një pasurie natyrore si Liqeni i Dibrës”.

Organizatorët vlerësuan përkushtimin e qytetarëve dhe e cilësuan aksionin si një shembull frymëzues për ruajtjen e ambientit. Përkundër përpjekjeve shumëvjeçare dhe projekteve të shumta për mbrojtjen e ujërave të liqenit, ndotja vazhdon. Gjatë reshjeve, deponitë e egra nga fshatrat e Rekës derdhen në Lumin Radika, i cili më pas e bart ndotjen në liqen. Një situatë e ngjashme ndodh edhe në përroin e Zhupës, ndonëse në përmasa më të vogla.

Ekologët lokalë propozojnë vendosjen e një rrjete metalike tek ura e Kosovrastit, ku Radika derdhet në liqen, për të ndaluar futjen e mbeturinave. Megjithatë, kjo ide ende nuk është realizuar.

Në këto kushte, aksionet ekologjike janë thelbësore për mbrojtjen e biodiversitetit të liqenit të Dibrës, i cili është jo vetëm një burim natyror i rëndësishëm për rekreacionin e banorëve, por edhe një potencial i madh për zhvillimin e turizmit në rajon. (koha.mk)