Aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës që Lë Kuvendin Peng: Rreziku nga Boshllëqet Kushtetuese

“Në këtë orë dramatike, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë më tepër se një interpretim ligjor; është kambanë alarmi që paralajmëron se fati i Republikës varet nga një akt solemn: zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Pa këtë, çdo hallkë e shtetit mund të bjerë, duke zhytur Kosovën në kaos institucional, politik dhe ndërkombëtar. Historia nuk do t’i falë ata që, për kalkulime të ngushta partiake, vendosin të vënë në lojë themelet kushtetuese të shtetit.”
Konteksti juridik dhe kushtetues
Neni 66, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Konstituimi konsiderohet i plotë vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Më 15 prill 2025 u thirr seanca konstituive e Kuvendit, por nuk u arrit të zgjidhej Kryetari i Kuvendit, duke e lënë procesin të papërfunduar dhe duke krijuar një vakum institucional dhe kushtetues. Kjo situatë çoi në paraqitjen e një ankese në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, me aktgjykimin nr. KO-25/2025, vendosi që seanca e 15 prillit nuk përmbush kushtet për konstituimin e Kuvendit dhe urdhëroi përsëritjen e saj brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, duke përcaktuar qartë afatin në dispozitivin e vendimit. Ky vendim e kthen procesin në pikën zero dhe i vendos Kuvendit një afat të ri 30-ditor, por nuk parashikon një mekanizëm automatik për shpërndarjen e tij në rast se dështon përsëri të konstituohet.
Implikimet kushtetuese
Analisti Qani Shabani thekson se anët pozitive të këtij aktgjykimi janë të qarta sepse ai forcon interpretimin substancial të Kushtetutës duke theksuar se Kuvendi nuk mund të quhet i konstituuar në mungesë të Kryetarit. Gjithashtu, krijon presion institucional mbi partitë politike që të bashkëpunojnë dhe tregon se Gjykata Kushtetuese po e ushtron rolin e saj si garant i rendit kushtetues. Nga ana tjetër, vendimi nuk përcakton një sanksion të qartë në rast se Kuvendi dështon edhe brenda këtij afati të ri. Aktgjykimi nuk është i qartë mbi pasojat që sjell moskonstituimi i Kuvendit, duke lënë të hapur pyetjen nëse duhet shkuar në zgjedhje të reja apo në mbajtjen e seancave të reja pafundësisht. Kjo situatë mund të shfrytëzohet nga partitë politike për të krijuar bllokim taktik institucional.
Implikimet politike
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka ndikim të madh edhe në planin politik. Ekziston një polarizim i thellë mes partive politike, ku Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidatin e saj dhe në mënyrën e votimit të fshehtë, ndërsa opozita kundërshton legjitimitetin e procesit dhe kërkon ose transparencë më të madhe ose alternativa të tjera për zgjidhjen e ngërçit. Partitë opozitare mund të bojkotojnë përsëri procesin duke mos siguruar kuorumin dhe duke e shtyrë vendin drejt një bllokade politike. Në mungesë të një zgjidhjeje të prerë për pasojat, mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese të përballet sërish me një ankesë pas 30 ditësh nëse situata nuk zgjidhet. Në një skenar ekstrem mund të kërkohet një interpretim i ri kushtetues, duke zgjatur më tej paqartësinë institucionale.
Zgjidhja kërkon kthimin e palëve politike në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje mbi një kandidat konsensual për Kryetar të Kuvendit, ose të paktën mbi mënyrën e votimit. Mund të nevojitet edhe një sqarim ligjor nga Gjykata Kushtetuese ose një ndryshim ligjor ose kushtetues nëse Kuvendi dështon përsëri. Më e rëndësishmja është zhvillimi i një kulture politike të kompromisit, e cila është më e domosdoshme se çdo dispozitë formale, pasi pa kompromis edhe Kushtetuta mbetet vetëm një tekst pa zbatim.
Ky aktgjykim është një sinjal i qartë që Kushtetuta nuk mund të shkelet pa pasoja, por njëkohësisht tregon edhe boshllëqet institucionale në përballjen me situata të jashtëzakonshme. Në mungesë të vullnetit politik, edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese mund të mbeten vetëm letra pa zbatim praktik. Nëse bllokada vazhdon, rrezikohet jo vetëm funksionimi i Kuvendit, por edhe i gjithë rendit demokratik dhe institucional të Kosovës. Është koha që elita politike të kuptojë se legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota, por edhe nga respektimi i standardeve kushtetuese dhe i interesit kombëtar.