CNN ka publikuar një analizë përmes së cilës thotë se sulmi i Izraelit ndaj Iranit mund ta fusë tërë rajonin në një luftë, ku do të mund të përfshihej edhe ShBA-ja, transmeton Klankosova.tv.

Sulmet ajrore të Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit mund të nxisin një kundërpërgjigje masive nga Teherani dhe të çojnë rajonin drejt një lufte të përmasave të plota, kanë paralajmëruar prej kohësh analistë dhe ekspertë të sigurisë.

Në rast se konflikti mes Izraelit dhe Iranit përshkallëzohet më tej, ekziston rreziku që në të të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të aleancës së ngushtë që ka me Izraelin dhe rolit të saj si furnizuesi më i madh me armë për këtë shtet.

Shenjat e para të këtij rreziku u shfaqën që në fillim të javës, kur ShBA-ja urdhëroi largimin e personelit jo-thelbësor nga disa lokacione në Lindjen e Mesme, pasi paralajmërimet e inteligjencës thoshin se një sulm izraelit ndaj Iranit ishte i pashmangshëm.

Të premten, zyrtarët izraelitë deklaruan gjendje emergjente dhe njoftuan se po përgatiteshin për hakmarrjen e Iranit.

Banorët në Izrael dhe në mbarë Lindjen e Mesme po përballen me pasiguri dhe frikë, pasi sulmet izraelite kanë futur rajonin në një fazë të re, të paparashikuar të konfliktit.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Shtrirja rajonale e Iranit: Irani mbikëqyr një të ashtuquajtur “Bosht i Rezistencës” në të gjithë rajonin, që përfshin grupe aleate besnike si Hezbollahu në Liban, Houthit në Jemen, si dhe milici të ndryshme në Irak dhe Siri.

Sipas ekspertëve, një sulm i Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka gjasa të sjellë edhe fundin e negociatave mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Vitin e kaluar, lufta e gjatë përmes palëve të treta mes Izraelit dhe Iranit shpërtheu në mënyrë të hapur me një seri sulmesh të drejtpërdrejta me raketa mes dy vendeve.

Në atë kohë, ShBA-ja e paralajmëroi Izraelin që të mos godiste infrastrukturën energjetike apo bërthamore të Iranit. Ndërkohë, Irani u përpoq ta minimizonte rëndësinë e sulmeve, duke u kundërpërgjigjur me sulme të fuqishme në pamje, por të kalkuluara për të shkaktuar dëme të kufizuara.

Fazë e re e konfliktit: Sulmi i së premtes nga Izraeli shënon një përshkallëzim të ndjeshëm, duke goditur zemrën e programit bërthamor dhe kompleksit ushtarak të Iranit. Izraeli ka shënjestruar objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz dhe ka vrarë Gjeneral Hossein Salami, komandantin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, si dhe Gjeneralmajor Mohammad Bagheri, oficeri më i lartë ushtarak i vendit.

Analistja e sigurisë në CNN, Beth Sanner, tha se eliminimi i Salamit është i krahasueshëm me eliminimin e kryetarit të shefave të shtabit të përbashkët të ushtrisë amerikane: “Mund të imagjinoni si do të reagonin amerikanët”, tha ajo.

Sanner theksoi se Irani tashmë është “nën kërcënim ekzistencial” dhe për këtë arsye, izraelitët pritet të përballen me “një hakmarrje masive, shumë më të madhe se herën e kaluar”.